Deklarata e Ramës në Bruksel, Berisha: Është rreshtuar me Vuçiq dhe Putin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se qëndrimi dhe deklarata e Kryeministrit Edi Rama ditën e djeshme në Bruksel, dëshmoi se ai është i rreshtuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe atë rus Vladimir Putin.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se nuk kishte arsye që Rama të dilte në konferencë me Vuçiq pas Samitit të BE-së, pasi Serbia i ka hapur negociatat.

“Në Bruksel, ai faktoi se ishte përfaqësues i aleancës trilaterale të serbomadhit Vuçiç. Me qëndrimet dhe deklaratat e tij, Edi Rama dëshmoi qartë se ai është i rreshtuar jo me Ballkanin e Berlinit apo Brukselit, por me Ballkanin e Beogradit dhe Putinit”, ka thënë Berisha.

“Asgjë nuk mund të lidhte kryeministrin e Shqipërisë në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, përveç faktit që duhet të dëshmonte se midis Bashkimit Evropian dhe Serbisë, ka bërë zgjedhjen e tij. Me daljen në atë konferencë, Edi Rama faktoi se në cilën anën ishte i rreshtuar”, theksoi kreu i PD-së.

Sipas tij, vendi i Shqipërisë nuk mund të jetë kurrë në një pozicion tjetër përveçse në anën e Bashkimit Evropian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu