Deklaratat kundërthënëse: Ç’po ndodh me marrëveshjen e detit me Greqinë

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka dalë sot para shtypit për të përgënjeshtruar në mënyrë të tërthortë deklaratat e homologut të saj grek Niko Dendias, i cili pohoi disa ditë më parë se qeveria Rama po pret largimin e presidentit Meta dhe zëvendësimin e tij me një njeri të besuar për të rinisur negociatat për kalimin e marrëveshjes së detit në Gjykatën e Hagës. “Kjo nuk është çështje që ka lidhje vetëm me presidentin, por ka të bëjë me përgatitjet reciproke të dy vendeve para se të ulen për të gjetur kompromisin apo mosdakordësitë për të shkuar pastaj në gjykatë. Në këtë fazë jemi“, deklaroi Xhaçka.

Por ministri i jashtëm grek Nikos Dendias, i tha në fillim të javës radio Sky në Athinë se kjo punë lidhet eksluzivisht vetëm për mosmarrëveshjet mes Ramës dhe Metës, kur dihet që ky i fundit, sipas kushtetutës, duhet të autorizojë qeverinë të hyjë në negociata. “Ai (Rama) ra dakord me ne që të shkojmë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk është bërë ende pasi presidenti nuk i jep autoritetin përkatës kryeministrit. President padyshim do të zgjidhet një tjetër në Shqipëri në dy- tre muajt e ardhshëm. Pra, e gjithë kjo atëherë është e realizueshme”, tha Dendias pas vizitës në Tiranë.

Atëherë kush thotë të vërtetën, ministrja shqiptare, apo homologu i saj grek?

Për të kuptuar këtë është mirë të kthejmë filmin pas dhe të kujtojmë ndarjen më dysh të opinionit dhe klasës politike kur Athina, pa marrëveshje, vendosi të zgjerohet në detin e përbashkët nga 6 në 12 milje, pa konsensus, në verën e vitit 2020. Por në këtë kohë Rama nxitoi menjëhetrë të thoshte se Athina është në të drejtën e saj ta bëjë këtë. Kjo deklaratë u rimor edhe nga kryeministri grek Micotaqis, i cili tha me pompozitet para parlamentit të vendit të vet se: “Kohët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë deklaroi në mënyrë të qartë se shtrirja në 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e Athinës”.

Pikërisht kjo ngriti valën e akuzave nga opozitarët për tradhti, gjë që e detyroi ish-kryeministrin Berisha t’i vinte ramës epitetin “Zeografi Bis”. “Kush thotë se Greqia është në të drejtën e saj për të zgjeruar detin bën tradhëti kombëtare”, tha atëherë Berisha.

Por idenë se Rama nuk ka pse njeh të drejtën e Greqisë për të bërë veprime të njëanshme, kur loja ka filluar dhe kur të dy palët po bëjnë përgatitje për të shkuar në Hagë, e kundërshtuan edhe ekspertë të pavarur dhe jo politikë.

Ish-relatori i çështjes së detit në Gjykatën Kushtetuese, Xhezair Zaganjori (që përfundoi me rrëzimin e marrëveshjes së qeverisë demokrate) e kritikoi qeverinë aktuale se në vend që të shpallë objektivat tona, bën rolin e justifikuesit të palës greke për zgjerimin e kufirit të saj me 12 milje. “Njerëz që pretendojnë se njohin të drejtën e detit dhe që e kanë për detyrë të merren profesionalisht me këtë çështje, në kundërshtim me pozicionin e tyre dhe me çdo normë etike kombëtare e ndërkombëtare, bëjnë avokatinë e palës tjetër, duke theksuar se ata kanë të drejtë të zgjerojnë në mënyrë të njëanshme ujërat territoriale në 12 milje detare. Nuk mund ta imagjinoj se si mund të futen në bisedime me këtë tezë“, tha Zaganjori.

Nga një këndvështrim tjetër e kritikoi këtë qasje edhe njeriu që ka marrë aureolën e mbrojtjes së kufijve detarë, dhe i cili e denoncoi në Gjykatë Kushtetuese bashkë me PS, marrëveshjen e Berishës.

“Në grupin negociator ka një konfidencialitet të plotë. Çfarë sekretesh ruajnë, kur fqinji ynë përditë del e flet se si po zgjerohet Greqia, duke shpallur kalimin nga 6 milje detare në 12 milje? Kurse ne s’po dëgjojmë dot që Republika jonë ta shpallë Sarandën si gji historik“, ka thënë kolonel Myslym Pashai duke theksuar se para se të mendojmë t’i japim të drejtë palës tjetër, ne duhet të mendojmë se ç’duhet të bëjmë për interesat tona.

Pra është e ligjshme në këtë moment, pas deklaratës së shefit të diplomacisë greke, të ngresh pyetjen: Mos vërtet kryeministri ynë po pret të heqë qafe presidentin Meta për t’i bërë në fshehtësi koncesione Greqisë? Në të shkuarën Rama është përbetuar për kujtimin e gjyshërve dhe katragjyshërve të vet se mbetet një patriot që nuk negocion me kufijtë kombëtarë.

Edhe ministrja e Jashtme, Xhaçka, tha se kjo nuk është çështje e pengesës së presidentit. Por ama premtimi i Niko Dendias për mediat greke se marrëveshja do të shkojë përpara sapo Rama të heqë qafe Metën, mbetet aktual.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu