Deklarimi i përvjetshëm, a u pasuruan apo “varfëruan” tre liderët e shtetit nga viti i kaluar në sivjet?

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar të dhënat nga pasuria e liderëve të shtetit për vitin 2023.

Nëse bëjmë një krahasim të të dhënave të këtij viti me ato të vitit paraprak, mund të vërehen disa dallime, me theks te Presidentja Osmani, por edhe te Kryeministri Kurti dhe Kryekuvendari Konjufca, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Derisa në vitin 2022, shefja e shtetit kishte deklaruar rreth 43 mijë euro para të gatshme në bankë, këtë vit, Osmanit i figurojnë rreth 330 euro nëpër disa banka.

Megjithatë, Osmani këtë vit deklaroi prona të tjera të paluajtshme, që kur llogariten del që përfitimet i ka pasur të majme.

Nga dy shtëpi sa kishte deklaruar vitin e kaluar, sivjet ajo deklaroi vetëm një shtëpi në vlerë 180 mijë euro. Mirëpo, shtëpinë tjetër e ka shitur bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, për ta blerë një “banim në varg” këtë vit, në vlerë marramendëse prej 520 mijë eurove.

Tutje ajo posedon banesë rreth 60 mijë euro, 5 ari tokë në vlerë 35 mijë euro si dhe “banimi në varg” në lagjen luksoze të Prishtinës, Marigona Hill, që kap shifrën e 170 mijë eurove.

Kryeministri Kurti deklaroi 119 euro para të gatshme, që nuk është një krahasim i madh me atë që kishte deklaruar vitin e kaluar, ku tha se posedon 401 euro në bankë.

Ndërsa kryekuvendarit Glauk Konjufca, i figurojnë 2 mijë e 200 euro më pak para të gatshme këtë vit në krahasim me vitin paraprak.

Vitin e kaluar, ai kishte deklaruar 8 mijë e 200 euro para të gatshme, kurse këtë vit 6 mijë sosh.

Sa i përket pasurive të paluajtshme, te Kurti dhe Konjufca nuk ka ndryshime të mëdha.

Presidentja Osmani ka deklaruar kredi të përbashkët me Zotëriun e Parë, Prindonin, në total prej rreth 150 mijë eurosh, Konjufca ka deklaruar kredi në vlerë prej 61 mijë eurosh, ndërsa Kurti si obligim qiranë dhe kredinë e bashkëshortes prej mbi 250 mijë eurosh.

Nga të ardhurat vjetore, Osmani deklaroi të hyra në vlerë prej rreth 33 mijë eurosh, Kurti mbi 16 mijë euro ndërsa Konjufca tha se të hyrat vjetore i kapin shifrën e mbi 34 mijë eurove, më shumë se dy liderët paraprakë. /Reporteri.net/.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu