Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka bërë thirrje ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, që ta procedojë në Qeveri Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Përmes një postimi, Deliu ka thënë se 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga partitë e ndryshme politike, janë bashkuar sot përmes votës në mbështetje të luftës së UÇK-së.
“Donikë, i ke 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë politike, që me votën e tyre të lirë dhe unanime janë bashkuar në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe në mbështetje të katër ish-udhëheqësve të saj në Hagë, me mjetet juridike, politike, institucionale dhe financiare që ka në dispozicion shteti”, ka shkruar Deliu.
Ajo i ka kërkuar Gërvallës që të mos e zvarrisë procedimin e Projektligjit.
“Kuvendi dhe deputetët e bënë pjesën e tyre. E dëshmuan vullnetin politik me votë. Bëje edhe ti pjesën tënde si Ministre e Drejtësisë: procedoje Projektligjin në Qeveri, që ai të vijë menjëherë në Kuvend për votim”.
Deliu ka theksuar se, sipas saj, deklaratat politike duhet të pasohen me veprime konkrete.
“Deklarata është zotim. Ligji është veprim. Dhe udhëheqësit tanë të luftës e të paqes kanë nevojë për veprime konkrete”, ka shkruar ajo.
Në fund, deputetja e PDK-së ka paralajmëruar se nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për ta votuar Projektligjin, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë.
“Sille ligjin, Donikë!”, e ka përmbyllur postimin Deliu.










