Dëmet materiale të shkaktuara nga tërmetet në Turqi tejkalojnë shifrën prej 100 miliardë dollarë, 214 mijë ndërtesa janë dëmtuar

Vetëm dëmet materiale të shkaktuara nga tërmeti në Turqi, kalojnë shumën e 100 miliardë dollarëve, sipas përllogaritjes paraprake të Bankës Botërore, OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Qeverisë në Ankara.

“Një muaj pas tërmetit që ia mori jetën më shumë se 46 mijë njerëzve në Turqi, tashmë është e qartë se vetëm dëmet materiale do të jenë më shumë se 100 miliardë dollarë”, tha Louise Winton, drejtuese e Programit të Zhvillimit të OKB-së në Turqi.

Ajo tha në video-konferencën e OKB-së në Gjenevë nga Gaziantep, Turqi, se “kostot e rindërtimit dhe gjithçka që shkon me një rindërtim më të mirë dhe më ekologjik, padyshim do ta tejkalojë atë shumë”.

Vlerësimet janë ende të bazuara në të dhënat paraprake, por shifra e dëmit prej 100 miliardë dollarësh do të paraqitet në Konferencën e Donatorëve të Rindërtimit të 16 Marsit në Bruksel”, tha Winton.

Ajo shprehu “zhgënjim dhe trishtim” për mungesën e bujarisë së donatorëve, duke treguar se vetëm 9.6 për qind e ndihmës prej 1 miliard dollarësh të kërkuar urgjentisht më 16 shkurt, është përmbushur deri më tani.

Pothuajse 46 mijë njerëz vdiqën dhe 105 mijë u lënduan në tërmetin e 6 shkurtit me magnitudë 7.8 dhe më pas me magnitudë 7.6 në Turqi, por bilanci është ende i paplotë.

Në 11 nga 81 provincat e Turqisë, 214 mijë ndërtesa u shkatërruan ose u dëmtuan, disa prej të cilave ishin më shumë se 10 kate të larta.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu