Deputeti holandez letër KE-së: Vuçiq po përdor BE-në si bankomat, ndaloni këtë financim vetëshkatërrues të obstruksionizmit

Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke përdorur Bashkimin Evropian si një bankomat të tijin, gjersa të njëjtës ia refuzon të nënshkruajë marrëveshjet e ndërmjetësuara nga ajo, siç ishte ajo me Kosovën.

Përmes një postimi në Twitter, Reuten ka bërë të ditur se ka kërkuar shpjegime nga Komision Evropian lidhur me mënyrën e trajtimit të propozimit franko-gjerman nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Sot e pyeta Komisionin Evropian për të shpjeguar politikën e pakuptueshme të Serbisë. Vuçiq po përdor Bashkimin Evropian si bankomat të tij, pastaj kthehet dhe refuzon të nënshkruajë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja me Republikën e Kosovës. Ndaloni këtë financim vetëshkatërrues të obstruksionizmit të Vuçiqit”, ka shkruar ai.

Krahas kësaj, i njëjti ka pyetur komisionin e lartcekur se çfarë hapash planifikojnë të ndërmarrin për të inkurajuar Serbinë të dakordohet me planin evropian.

Ditë më parë, ishte Vuçiq ai i cili tha se nuk do ta lejojë në asnjë formë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ç’rast, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.

Takimi i ardhshëm do të jetë më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu