Deputeti serb: Shqiptarët nuk ndjehen të sigurt pa ushtri për shkak të kaluarës

Deputeti i Kuvendit të Serbisë, liberali, Çedomir Jovanoviq, nuk e kundërshton krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Megjithatë, ai thotë se koha kur është zgjedhur të formohet është e papërshtatshme.

Sipas tij Serbia nuk duhet të krijojë probleme për çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës, pasi shqiptarët nuk mund të ndjehen të sigurt pa ushtri, shkaku i së kaluarës, shkruan Express.

Jovanvoviq thotë që bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të vazhdojnë sa më parë që të jetë e mundur.

“Është jashtëzakonisht e nevojshme që të vazhdojë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit sa më shpejtë të jetë e mundur, sepse është e qartë, se për arsye të veprimeve të më parshme, negociatat kanë mbetur pa alternativë, dhe çfarëdo kërcënimi për luftë e destabilizon të gjithë rajonin”, ka thënë Jovanvoviq në një përgjigje për Express.

Ai thotë se të dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, kanë përgjegjësi për këtë dhe duhet të shqetësohen për situatën.

“Një marrëveshje që ata mund ta arrijnë është një mundësi, ky shans nuk do të përsëritet dhe nuk duhet humbur”, thotë politikani serb.

I pyetur specifikisht për çështjen e krijimit të Ushtrisë, Jovanoviq thotë se shqiptarët nuk ndjehen të sigurt pa ushtri shkaku i të kaluarës, prandaj nuk duhet parë si problem.

“Shqiptari me armë është shqiptar me armë, pa e marrë parasysh se as është nën ombrellën e UÇK-së, FSK-së, apo Ushtrisë së Kosovës. Për këtë arsye nuk duhet të përbëj problem, pasi shqiptarët shkaku i të kaluarës nuk ndjehen të sigurt pa armë”, është shprehur Çedomir Jovanvoviq.

Politikani i serb i cili e njeh Republikën e Kosovës si shtet, thotë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës megjithatë është bërë në një moment të pa përshtatshëm.

“Gjithashtu besoj se krijimi i Ushtrisë së Kosovës në këtë moment e bënë edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjes, dhe ata që kanë vendosur ta themelojnë, vetëm ndihmojnë ambiciet e atyre të cilët nuk dëshirojnë të zgjidhet problemi i Kosovës”, ka potencuar deputeti serb.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu