Një nga deputetet më të zëshme britanike për çështjet që lidhen me Kosovën, Alicia Kearns, e ka quajtur të turpshme deklaratën e ministres të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila, publikisht tha se po të ishte në vend të Millosheviqit do të bënte spastrim etnik në Kosovë. Kearns, e ka quajtur këtë deklaratë njollë mbi Qeverinë e Serbisë.
“Mbështetja e turpshme e ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik në Kosovë është një njollë mbi Qeverinë e Serbisë. Njerëzit që sot janë në të tridhjetat e tyre i kujtojnë mizoritë që forcat e Millosheviqit kryen ndaj tyre dhe familjeve të tyre”– ka shkruajtur ajo në rrjetin social “X”.
Deputetja tha se nuk duhet të ekzistojë asnjë përpjekje për të justifikuar krimin që ndodhi në Kosovë.“Asnjë përpjekje për t’i justifikuar – apo, edhe më keq, për t’i lavdëruar – këto krime nuk mund ta bëjnë botën të harrojë atë që ndodhi në Kosovë. Mos harroni kurrë”- ka përfunduar ajo.










