Deti i Zi: manovra ruse para mbërritjes së anijeve amerikane

Flota detare ruse filloi një stërvitje ushtarake në Detin e Zi të mërkurën, përpara ardhjes së pritur të anijeve luftarake amerikane në zonë, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Ushtrimi përfshin anije luftarake ruse nga Flota e Detit të Zi me bazë në Krime, helikopterë dhe aeroplanë, raporton Reuters.

Si pjesë e ushtrimeve do të praktikohen të shtënat në objektivat ajrorë dhe tokësorë.

Dy anije luftarake amerikane do të mbërrijnë në Detin e Zi këtë javë, ndërsa Uashingtoni dhe NATO shprehin shqetësimin për një rritje të numrit të forcave ruse në kufirin me Ukrainën dhe Krimenë.

Prania e anijeve amerikane në atë det nuk është e pazakontë.

“Nuk është asgjë e re,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby javën e kaluar.

Por Moska ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të mos i sjellin anijet e saj më afër Krimesë “për të mirën e tyre”, duke e quajtur dërgimin e tyre në Detin e Zi një provokim që synon të testojë nervat e Rusisë, raporton Reuters.

Nga ana tjetër, forcat e armatosura ukrainase praktikuan një sulm tankesh dhe këmbësorie afër kufirit me Krimenë të mërkurën, sipas një deklarate nga komanda e ushtrisë ukrainase, raporton Reuters.

Ushtria ukrainase tha se kishte vendosur tanke dhe artileri për të praktikuar forcat zmbrapsëse.

Ushtria postoi një video në Facebook, e cila shoqërohet me muzikë rock, që tregon tanket që manovrojnë në formacion dhe ushtarët që gjuajnë artileri.

Ushtrimet erdhën një ditë pasi Presidenti i SHBA Joe Biden foli në telefon me Presidentin rus Vladimir Putin për akumulimin e trupave ruse pranë Ukrainës lindore dhe në Krime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu