Sot ka dhënë dorëheqjen Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika.
Kreu i SHISH ka bërë 5 vjet në krye të institucionit më të rëndësishëm të spiunazhit dhe nëse bëjmë një bilanc të detyrës së tij, ajo është e mbërthyer me të papritura. Visho Lika në vitin 2012 mori detyrën e kreut të SHISH, duke u emëruar nga Sali Berisha.
Por një vit më pas, nisën skandalet. Pasi Ilir Meta u bashkua me Edi Ramën në 2013 dhe ata fituan zgjedhjet, Sali Berisha urdhëroi të niste përgjimi. Komision i Sigurisë më vonë zbuloi se Visho Lika kishte vënë në përgjim pothuajse pjesën më të madhe të politikanëve në vend si dhe rreth 300 biseda mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Sipas listës, figuronin të përgjuar me më shumë apo më pak intensitet afro 25 deputetë të mazhorancës.
Midis tyre, emrat e Edi Ramës, Ilir Metës, Saimir Tahirit, Erion Veliajt, Vangjel Dules, Tom Doshit, Ben Blushit, Taulant Ballës, Besnik Bares, Paulin Sterkajt, Armando Prengës, Mark Frrokut, Ilir Beqajt, Pjerin Ndreut. Ndërsa në PD, veç Lulzim Bashës, të përgjuar figuronin edhe Astrit Patozi, Ilir Rusmali dhe Sokol Olldashi. Ky ishte një ndër skandalet më të mëdha të këtij institucioni, por që edhe pse nisi një proces hetimor nga ana e Komisionit të Sigurisë, nuk u arrit në asnjë përfundim.
Skandali me certifikatën e sigurisë
Një tjetër skandal që mbërtheu kreun e SHSH është se ai qëndroi për shumë kohë në detyrë pa certifikatë sigurie. Në vitin 2014, ai u thirr në Komisionin e Sigurisë për të raportuar, por doli se i kishte skaduar certifikata e sigurisë.
Në atë kohë, kreu i SHISH, pasi zbarkoi në Kuvend, u kërkoi anëtarëve të Komisionit të Sigurisë certifikatat e sigurisë, si kusht për të pasur akses në informacionet sekrete. Deputetët pa certifikata sigurie u nxorën jashtë. Ndërkaq, të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe deputetët e mazhorancës, ku ka rezultuar që vetë kreu i SHISH kishte gjashtë muaj që nuk kishte certifikatë sigurie sikundër përcakton ligji në rastet e zotërimit të dokumenteve që konsiderohen si sekret shtetëror.
Punësimi i SHIK-asve të Gazidedes
Një tjetër skandal është se Visho Lika kur mori drejtimin e SHISH e mbushi institucionin me agjentë të ish-SHIK të Bashkim Gazidedes.
Skandali u denoncua nga mediat dhe më pas Lika e pranoi në Komisionin e Sigurisë.
Gjatë një raportimi në prill të 2014, ai pranoi se shumica e të rekrutuarve në Shërbimin Informativ Shtetëror kanë qenë pjesë e SHIK të ’97, disa prej të cilëve kanë zbatuar skenarin e terrorit të Sali Berishës, duke rrahur, masakruar, torturuar dhe zhdukur kundërshtarët politikë. “Shumica e të pranuarve kanë qenë ish-punonjës. Emërimet në Shërbimin Informativ Shtetëror janë bërë në përputhje me ligjin”, ka deklaruar ai në atë kohë.










