Para disa ditësh në Dibër u mbajt ceremonia e ndarjes së çelësave për 47 banesa sociale, të ndërtuara për qytetarët që kanë plotësuar kushtet sipas thirrjes publike dhe kritereve të përcaktuara me ligj.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski dhe Drejtori i Përgjithshëm i Ndërmarrjes për Ndërtim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore, Marjan Stefanovski, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Arlinda Mulladauti – Telqiu.
Banesat u ndanë për përfituesit të cilët, në përputhje me thirrjen publike, kanë përmbushur kriteret e parapara. Në mesin e tyre janë persona pa zgjidhje strehimi, fëmijë pa prindër ose pa përkujdesje prindërore pas moshës 18-vjeçare, përfitues të ndihmës minimale të garantuar, si dhe persona të prekur nga fatkeqësi natyrore.
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Arlinda Mulladauti – Telqiu ka shkruar disa fjalë sa i përket kësaj ceremonie mjaft domethënëse për personat në nevojë.











