Procesi i negociatave Kosovë – Serbi është bllokuar tash e disa muaj, pasi pala serbe nuk po pranon të ulet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa prej 100 për qind. Megjithëkëtë, shteti serb nuk po rresht së bëri provokime ndaj Republikës së Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Janë bërë më shumë se gjashtë muaj prejse pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë ulur kokë më kokë në tavolinë për të diskutuar rreth procesit të dialogut.
Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të BE-së për t’iu rikthyer bisedimeve, pala serbe po vazhdon të mos i ndalë provokimet në drejtim të Kosovës, shkruan më tutje “Zëri”.
Para tri ditësh në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” autoritetet serbe ndaluan dy zyrtarët serbë të Qeverisë e Kosovës, Srdjan Jovanoviq, këshilltar në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Srecko Spasiq, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë. Menjëherë pas kësaj shefi i ekzekutivit e ka cilësuar si të papranueshëm lajmin për ndalimin e dy zyrtarëve në fjalë.
Lidhur me këtë kanë reaguar edhe përfaqësues të opozitës, të cilët kanë konsideruar se Kosova duhet të vendosë masa reciproke pas këtyre sjelljeve të vazhdueshme të palës serbe. Rrjedhimisht, sipas tyre, secili veprim i shtetit serb duhet ta ketë kundërpërgjigjen e njëjtë prej shtetit të Kosovës.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se veprimet e tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë aspak procesit të negociatave mes dy vendeve. Përkundrazi, siç ata janë shprehur, të tilla veprime janë kundër frymës së negociatave dhe normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi.
Isufi: Serbia po shantazhon serbët e Kosovës
Menjëherë pas ndalimit të dy zyrtarëve serbë të Kosovës ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se një gjë e tillë dëshmon qartazi se pengues i dialogut është pikërisht shteti serb. “Kjo tregon se politika agresive e Serbisë nuk ka të ndalur dhe bllokuesit kryesorë të normalizimit të marrëdhënieve janë autoritet serbe”, ka deklaruar Haradinaj.
shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se është obligim i Bashkimit Evropian t’i bëjë vërejtje Serbisë që t’i ndalë provokimet dhe veprimet kundër serbëve të Kosovës para se t’i ftojë për dialog të dyja palët.
“Kjo mënyrë e sjelljes së shtetit serb tregon që aspak nuk kanë hequr dorë nga politika anti-Kosovë dhe kundër njerëzve të Kosovës, sidomos të pjesëtarëve serbë, të cilët po shantazhohen dhe nuk po lejohen të jetojnë të qetë e të lëvizin lirshëm”, është shprehur ai për “Zërin”. Pikërisht këto veprime të Serbisë kundër Kosovës, sipas Isufit janë veprime të cilat e pamundësojnë dialogun dhe nuk po tregojnë vullnetin e mirë të Beogradit për të shkuar në këtë proces. “Andaj BE-ja dhe gjithë vendimmarrësit, të cilët kanë ndikim në Serbi, duhet t’i bëjnë vërejtje Serbisë për këto veprime antinjerëzore që po i bën”, ka nënvizuar Ahmet Isufi.
Sejdiu: Reciprocitet ndaj Serbisë
Teksa ka folur rreth ndalimeve të fundit të zyrtarëve të Kosovës deputeti i pavaruri opozitës, Korab Sejdiu, ka thënë se po shihet qartazi që me anë të këtyre veprimeve Serbia është e interesuar ta sabotojë çdo tentativë qoftë të palës kosovare, qoftë të Bashkimit Evropian për t’i stabilizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Këtë po e bën në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm me ndalesat në fjalë, por edhe me veprime të tjera agresive ndaj Kosovës. Kështu që thjesht kjo është një tentativë për ta sabotuar çfarëdo lëvizje përpara në përmirësim të raporteve”, ka deklaruar ai.
Ndaj sipas Sejdiut, Kosova duhet të vendosë masa reciprociteti ndaj shtetit serb. “Unë qëmoti kam insistuar që Kosova të imponojë reciprocitet të plotë karshi Serbisë dhe natyrisht çfarëdo veprimi armiqësor i Serbisë karshi Kosovës duhet ta ketë përgjigjen identike edhe nga ana jonë”, ka theksuar ai.
Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri ka thënë se serbët e Kosovës nuk po ndalen nga autoritetet serbe se po bëjnë ndonjë shkelje, por për shkak se nuk po i binden politikave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. “Nuk i ndalin në kufi dhe nuk i dënojnë për shkak të shkeljeve, por i ndalin për shkak se përfaqësojnë një ide politike dhe përfaqësojnë një mendim ndryshe”, ka theksuar ai.
Një gjë e tillë sipas tij pa dyshim se shkon në dëm të bisedimeve mes dy vendeve. “Kjo nuk i kontribuon dialogut, kjo është kundër dialogut dhe kundër vullnetit për bashkëpunim. Serbia po bën shkelje të marrëveshjes në Bruksel për këtë punë”, ka theksuar Tahiri.
Ndërkohë, tash e gjashtë muaj Serbia ka kushtëzuar rinisjen e dialogut me heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka përsëritur disa herë se nuk do të ketë dialog Kosovë – Serbi pa u hequr fillimisht tarifa prej 100 për qind. Në anën tjetër Qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të mbetet në fuqi deri në ofrimin e një garancie se me marrëveshjen finale Serbia do ta njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Ndonëse muajt e fundit nuk ka pasur takim kokë më kokë mes dy palëve, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë pritet të ballafaqohen në takimin e Parisit, i cili nën drejtimin e presidentit francez Emmanuel Macron pritet të mbahet më 1 korrik të këtij viti.










