Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, është pyetur nga gazetarët nëse Ministria e Jashtme ka thirrur ambasadorët e Shqipërisë dhe Serbisë në bisedë informative për rastin e arratisjes së ishkryeministrit Gruevski.
“Ushtruesi i detyrës dhe shefi i Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Tiranë ka zhvilluar takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ka informuar në lidhje me informacionet që ata i kanë dhe në nivele të tjera përtej kontakteve diplomatike ka komunikimin ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. I kemi dhënë udhëzime ambasadës sonë në Beograd, në Serbinë fqinje, për të kërkuar një takim në Ministrinë e Jashtme dhe informacione zyrtare. Ky takim, të paktën deri më sot, nuk është mbajtur ende. Ne presim që të kemi një takim të tillë, në mënyrë që të kemi të paktën në atë nivel të komunikimit diplomatik, informacion zyrtar nga vendet përkatëse”, tha Dimirov. Ai është pyetur të komentojë në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Maqedonia është fajtore për ikjen e Gruevskit për shkak se ka lëshuar urdhrin e arrestit me vonesë, dhe nëse arratisja e ish-kryeministrit maqedonas mund të prishë marrëdhëniet në vendet e rajonit.
“Kishte një koment nga presidenti i Serbisë në lidhje me veprën penale për të cilën është dënuar ishkryeministri Nikolla Gruevski, diçka që nuk komentohet, as për gjykimet e brendshme, aq më pak për gjykime të huaja. Rasti tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal. Rasti tregon se kur një vend përballet me një sfidë, i gjithë rajoni përballet me sfidë dhe anasjelltas. Kur një vend merr një hap të mirë dhe një hap përpara, sa e rëndësishme është kjo për të gjithë të tjerët dhe për gjithë rajonin. Kjo është ajo që unë mendoj se është leksioni i këtij rasti. Ne nuk kemi interes në përkeqësimin e marrëdhënieve”, tha shefi i diplomacisë maqedonase.










