Federata Angleze e Futbollit nuk ka në plan të bëjë ndryshime në stafin teknik të kombëtares, pavarësisht eliminimit nga Kupa e Botës 2026.
Sipas raportimeve, drejtuesit e federatës synojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me Thomas Tuchel, i cili pritet të udhëheqë Anglinë edhe në Kampionatin Europian të ardhshëm.
Anglia u eliminua mbrëmjen e së mërkurës në gjysmëfinale, pasi u mposht 2-1 nga Argjentina. “Tre Luanët” kaluan të parët në avantazh me Anthony Gordon, por pësuan përmbysje në minutat e fundit nga golat e Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, duke humbur mundësinë për të luajtur finalen ndaj Spanjës.
Pas ndeshjes, Tuchel u bë objekt i kritikave të forta nga mediat, analistët dhe tifozët anglezë për ndryshimet e tij në formacion. Trajneri gjerman hoqi lojtarë ofensivë dhe kaloi skuadrën në një skemë më mbrojtëse, duke i dhënë Argjentinës kontrollin e lojës. Shumë ish-futbollistë dhe ekspertë vlerësuan se zëvendësimet e tij ndikuan drejtpërdrejt në përmbysjen e rezultatit.
Megjithatë, humbja nuk ka ndryshuar qëndrimin e FA-së. Federata vazhdon t’i besojë projektit me Tuchel dhe nuk parashikon ndryshime, me objektivin që ai të drejtojë Anglinë edhe në Euro 2028.










