Dodik “injoron” sërish SHBA-në, emëron Vulinin senator në Republikën Srpska, ja detyrat që do të ketë miku i Vuçiç

Aleksandar Vulin, ish-ministër në Qeverinë e Serbisë dhe ish-shef i shërbimit të inteligjencës serbe, është bërë anëtar i ri i Senatit të Republikës Sërpska, me vendim të presidentit të Bosnjë e Hercegovinës.

Siç njofton agjencia Srna, Vulin “bazuar në Kushtetutën e Republikës Sërpska dhe Ligjit për Senatin” është emëruar senator nga 1 dhjetori. Ky vendim do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska. Vendimi për emërimin e Vulinit nuk është publikuar ende në Gazetën Zyrtare dhe as në faqen e presidentit të Republikës Sërpska.

Vulin, i cili në dekadën e fundit mbante disa pozita si drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe ministër i Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme, më 3 nëntor dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA). Politikani serb, që nga korriku është përfshirë në listën e të sanksionuarve të SHBA-së, për shkak të dyshimeve për korrupsion, përfshirjes në trafikun e drogës dhe lidhjeve me Rusinë.

Pas shpalljes së sanksioneve kundër Vulinit, Dodik, i cili gjithashtu është nën sanksionet e SHBA-së, e mbështeti atë duke thënë se ishte “një shpërblim për patriotizmin dhe këmbënguljen e tij në ruajtjen e marrëdhënieve miqësore me Rusinë dhe popullin rus”. Senati i Republikës Sërpska është një organ këshillimor i themeluar me Kushtetutën e entitetit nga viti 1992 dhe puna e tij rregullohet me Ligjin për Senatin nga viti 1997. Presidenti i Republikës Sërpska zgjedh senatorët, të cilët mund të jenë më së shumti 55 në numë numër, mandati i tyre zgjat shtatë vjet dhe si anëtarë të senatit zgjidhen “figura të shquara të jetës publike, shkencore dhe kulturore”, siç thuhet në Kushtetutë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu