William Burns është një nga njerëzit e paktë në botë që di gjithçka që ka ndodhur në tridhjetë vitet e fundit. Ish-diplomati, ambasador në Moskë, gëzonte besimin e të gjithë presidentëve amerikanë, ai doli në pension në vitin 2014, por kur presidenti Joe Biden erdhi në pushtet, u kthye në shërbim, në pozicionin e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), dhe së shpejti ai do të marrë një pozicion në kabinet, si një nga njerëzit më të fuqishëm në administratën aktuale dhe në botë. Kështu e përshkruan media e njohur kroate “Jutarnji List” Burns, duke shkruar se kur një njeri i tillë vjen në Sarajevë, nuk ka dyshim se ai ka sjellë një mesazh që nuk diskutohet por zbatohet.
“Shkeljet” e Dodik
Burns u takua me Presidencën e BiH, e cila përfshin gjithashtu Zheljka Cvijanoviç , përfaqësuesen e popullit serb, e cila është nën sanksionet e SHBA. Në mars, Shërbimi Informativ Kombëtar Amerikan (DNI) publikoi Vlerësimin e tij Vjetor të Kërcënimeve, në të cilin vetëm Milorad Dodik, presidenti i entitetit të Republika Srpska,u përmend me emër, i cili mund të “inkurajojë udhëheqësit e popullatës boshnjake që ndoshta të çojnë në konflikte të dhunshme që mund të mposhtin forcat paqeruajtëse”. Në pesë muajt e fundit, Dodik veproi pikërisht sipas modelit të përshkruar, ai forcoi lidhjet formale me Serbinë si pjesë e procesit të nisur me Deklaratën Gjithëserbe, deklaroi si qëllim politik bashkimin e RS dhe Serbisë, ngriti tensionet sepse njoftoi miratimin e një dokumenti që do t’i propozonte Federatës së BiH transformimin e BiH në dy shtete me kufijtë e subjekteve aktuale.
Largimi i Dodik
Michael Murphy, ambasadori amerikan në Bosnje dhe Hercegovinë, reagoi ashpër ndaj politikave të Dodik, si dhe përfaqësuesi i lartë Christian Schmidt, të cilin presidenti i RS nuk e njeh, por miku i presidentit kroat, Zoran Milanoviç, vetëm sa e intensifikoi retorikën. Pas sanksioneve të reja në qershor, ai njoftoi se do të “merrej fizikisht” me ambasadorin. Dodik ishte i bindur se lidhjet e tij të mira me Moskën krijojnë mburoja mbrojtëse që SHBA dhe Perëndimi nuk mund t’i thyejnë. Kështu Burns erdhi në Sarajevë, dhe mjaftuan disa orë bisedë që Zheljka Cvijanoviç të kuptonte rrezikun dhe të informonte Dodikun se çfarë kishte thënë Burns, disa burime thonë se atje u fol për largimin e mundshëm të Dodikut nga skenat e politikës: Schmidt ka autoritetin për ta bërë këtë, dhe Dodik është në gjyq në Sarajevë sepse nuk e zbatoi vendimin e përfaqësuesit të lartë.
“Kthesa” e menjëhershme
Dodik menjëherë të mërkurën, në platformën X, ish-Twitter, shkroi se “Republika Srpska nuk e ka kundërshtuar kurrë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës”. “Shkëputja nuk ka qenë kurrë politika jonë,” shtoi Dodik. Një gënjeshtër në çdo fjalë, një konfirmim i hipokrizisë së Dodikut, kameleonizëm, gatishmëri për një kthesë politike pas së cilës ai as nuk skuqet, shkruan “Jutarnji”. Megjithatë, Dodik tregon se nuk do t’i nënshtrohet plotësisht presionit amerikan dhe nuk do të heqë dorë nga politikat e tij. Dodik ia ktheu, por me moderim.
Shpresa e fundit
Ai nuk bëri një deklaratë personalisht, por përmes platformës duke përsëritur qëndrimin e tij se RS duhet të luftojë për statusin e saj – presidenti i RS shpesh thotë se ata janë të prirur të qëndrojnë në Bosnje dhe Hercegovinë nëse u jepen të gjitha prerogativat e qeverinë që kërkojnë, e cila është shtet brenda shtetit. SHBA-të janë ende të fuqishme, por Dodik është mësuar me atë presion, ndaj ka të ngjarë që pas një pushimi të caktuar, ai të vazhdojë politikën e tij me shpresën se Donald Trump do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, i bindur se do të mbështesë politikat e tij. Sidoqoftë, siç përmbyll “Jutarnji”, vizita e Burns në Bosnje dhe Hercegovinë tregon se Ballkani është ende në listën e interesave të politikës amerikane, por është tregues se kjo vizitë nuk u raportua nga mediat ndërkombëtare.