Doli nga shtypi botimi i librit universitar “E drejta familjare” e koautorëve Arta Selmani-Bakiu, Emine Zendeli, Dejan Mickoviq dhe Angel Ristov

Nga shtëpia botuese “Arbëria Design” u botua libri universitar “E drejta familjare” të koautorëve Prof.dr Emine Zendeli, Doc. dr Arta Selmani-Bakiu profesoresha të Fakultetit juridik- Universiteti i Evropës Juglindore, Prof.dr Dejan Mickoviq dhe Prof.dr Angel Ristov profesor të Fakultetit juridik “Justiniani i parë“- Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”. Teksti universitar E drejta familjare erdhi si rezultat i nevojës së kahmotshme për një tekst të tillë në gjuhën shqipe, të mbështetur në legjislacionin pozitiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Materia që përbën objektin e studimit të së drejtës familjare, si një disciplinë juridiko-pozitive është sistemuar në 7 pjesë, brenda së cilave janë trajtuar një gamë e gjërë e instituteve të së drejtës familjare. Teksti është bazuar kryesisht në legjislacionin pozitiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut, respektivisht, në masë të madhe në Ligjin për familje (1992) të Republikës së Maqedonisë, duke përfshirë edhe ndryshimet dhe plotësimet nga sjellja e tij e deri më sot. Një pjesë e rëndësishme e tekstit, që ka të bëjë me marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve martesorë dhe të atyre jashtëmartesorë, mbështetet në Ligjin për pronësi dhe të drejta të tjera sendore (2001) të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që konceptet bashkëkohore për themelimin e familjes mbështeten edhe në Ligjin për fekondim të asistuar biomjekësor (2008) të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ajo që këtë tekst e bën të veçantë është se për herë të parë në gjuhën shqipe jepen referenca të detajuara legjislative dhe teorike të parashikuara në të drejtën krahasuese, sa i përket zgjidhjeve të çështjeve aktuale dhe të rëndësishme nga lëmia e rregullimit juridik të familjes dhe marrëdhënieve familjare në përgjithësi. Në këtë kontekst janë përpunuar konceptet e reja që e karakterizojnë të drejtën familjare bashkëkohore, siç janë: barazia e fëmijëve jashtëmartesorë me fëmijët martesorë; ndryshimi i modelit të familjes; rregullimi juridik i bashkësisë jashtëmartesore; familja e themeluar nga personat e së njëjtës gjini; orientimi i fokusit të së drejtës familjare kah përgjegjësia prindore; teknologjitë e reja të reprodukimit artificial dhe ndikimi i tyre në përcaktimin e amësisë dhe atësisë; ushtrimi i përbashkët i përgjegjësisë prindore pas shkurorëzimit të martesës; regjimi i kontraktuar i pasurisë së bashkëshortëve martesorë dhe bashkëshortëve jashtëmartesorë. etj. Autorët potencojnë rëndësinë e harmonizimit të së drejtës familjare në nivel evropian, andaj në këtë drejtim teksti është pasuruar me të dhëna lidhur me rolin dhe rëndësinë e Komisionit për të Drejtën Familjare Evropiane për harmonizimin e së drejtës familjare evropiane.

Duke pasur në konsideratë faktin se në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë në zhvillim e sipër punimet lidhur me përgatitjen e Kodit Civil, pjesë përbërëse e së cilit do të jetë edhe E drejta familjare, në tekst prezentohen edhe reformat në të drejtën familjare për të cilat autorët konsiderojnë se duhet të jenë pjesë e këtij Kodi. Risi e rëndësishme në tekst është edhe pjesa kushtuar praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë pjesë janë prezentuar vendimet më të rëndesishme që lidhen me të drejtën familjare dhe martesore, dhe që njëkohësisht paraqesin burim specifik të së drejtës familjare. Me qëllim që studentët të kenë mundësi të fitojnë njohuri lidhur me zbatimin praktik të normave juridiko-familjare, teksti është pasuruar edhe me praktikë gjyqësore të gjykatave të vendit, por jo vetëm.

Libri universitar “E drejta familjare” është libri i vetëm në gjuhën shqipe që përfshin në detaje legjislacionin familjar pozitiv në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Recensues të këtij teksti universitar janë: Prof. dr. Arsen Janevski dhe Prof.dr Adnan Jashari. Libri është lekturuar nga profesoresha Doc.dr Luljeta Adili -Çeliku , përgaditjen teknike të librit e ka realizuar Burim Ismaili.

Duke pasur parasysh qasjen shumëdimensionale të studimit dhe analizës së instituteve të së drejtës familjare, metologjinë e arrirë shkencore dhe literaturën e zgjedhur profesionale të vendit, por veçanërisht literaturën e huaj, shpresojmë se ky tekst unik në gjuhën shqipe përveç studentëve të fakulteteve juridike, mund t’i shërbejë edhe publikut me të gjërë shkencor dhe profesional.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu