Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një projektligj emergjent për ndarjen e 8.3 miliardë dollarëve me qëllim të luftimit të koronavirusit – që ka infektuar më shumë se 100,000 persona në gjithë botën.
Këto të holla synojnë të rrisin kapacitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të testuar sëmundjet e frymëmarrjes. Marrë parasysh 233 personat e infektuar në Shtetet e Bashkuara dhe 14 të vdekurit nga ky virus, Trump ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë “Do të largohet”.
Shtëpia e Bardhë është përballur me kritika për përgjigjjen që ka pasë ndaj virusit, dhe ka pranuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë mjaftueshëm pajisje për të kryer testime, bazuar në kërkesën në rritje.
Në gjithë botën nga koronavirusi janë prekur mbi 100,000 persona, derisa 3,400 janë raportuar të vdekur. Shumica e vdekjeve janë regjistruar në Kinë ku ka shpërthyer fillimisht virusi.
Në Gjenevë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se epidemia është “duke u zgjeruar gjeografikisht çka është thellësisht shqetësuese”.
“Ne po vazhdojmë t’u rekomandojmë të gjitha shteteve që parandalimin ta bëjnë prioritetin e tyre kryesor”, u ka thënë ai gazetarëve.










