Drejtoresha e re, Zana Çela shpalos objektivat për drejtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit

Duke falënderuar paraardhësin e saj në krye të Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kërni për punën e bërë, drejtoresha e re e këtij institucioni Zana Çela, ka prezantuar objektivat e saj.
Bashkë me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka bërë edhe prezantimin, zonja Çela u shpreh se tre janë çështjet kryesore për Operën në të gjithë botën.

“Çdo sezon i ri përballë është me sfida të reja. Këto sfida të reja, nga eksperienca ime, këto probleme janë të përbashkëta, janë globale. Unë kam përcaktuar edhe objektivat kryesore të platformës katërvjeçare, e cila mendoj se do të na drejtojë në organizimin e punës sonë. Janë tre pyetjet kryesore që shtrohen; pyetja e parë është: cilat janë rrisqet e Operës sot? Dhe konstatimet janë: ka rënë mbështetja e shoqërisë në aspektin global dhe si rrjedhim ka rënë edhe subvencioni për të”, tha ajo. Një konstatim tjetër është: ekzistojnë metoda të vjetra menaxhimi në të gjithë sistemin teatror. Për këtë arsye rekomandohen metoda të reja në të gjitha drejtimet. Problemi tjetër është si do të mbijetojë? Duke rritur maksimalisht audiencat, veçanërisht duke prekur audiencat e reja veçanërisht të rinjtë dhe të fëmijët. Në këtë mënyrë, teatrot do të mbijetojnë.

Ajo theksoi se synimi do të jetë që t’i jepet Teatrit të Operës karakteri kozmopolit, duke nënvizuar se përfshirja në rrjetin evropian të teatrove, “do të na mundësojë që të jemi në sinkron me të gjitha grupmoshat”. Objektivi i dytë, zonja Çela tha se synon që ta kthejë Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Ansamblin Popullor në një teatër të ekselencës, të edukimit dhe të inovacionit. Në këtë drejtim, ajo tha se do të jenë pesë fushat kryesore ku do të përqendrohet për të vënë në zbatim këtë qëllim. Çela: E para është; ekselencë në programimin dhe ekzekutimin e kalendarëve artistikë. Kjo ka të bëjë me një kombinim ekselent të kalendarit duke përfshirë të gjithë gjinitë. Opera, balet, muzikal dhe koncerte. Ky repertor do të ekzekutohet nga e gjithë trupa me një ekselencë të lartë, nivel të lartë artistik.

Një tjetër hap sipas zonjës Çela është edhe rritja e audiencës, duke theksuar se do të shkohet edhe tek ata që nuk kanë pasur asnjëherë mundësi të shkojnë në Opera.

“Si objektiv afatgjatë ne kemi ngritjen e Departamentit të Edukimit, ngritjen e Akademisë së Operës dhe Baletit, si objektiv afatgjatë. Një pikë tjetër që përmendi zonja Çela, është ndërtimi i një strategjie për marketingun dhe promocionit, me synim zgjerimin e audiencës dhe për pasojë zgjerimin e të ardhurave, duke shtuar se qëllim mbetet futja e këtij teatri në reklama. Për këtë arsye, ajo tha se synohet që të mos ketë varësi kaq të madhe nga buxheti i shtetit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu