Driton Selmanaj shihet në darkë me personin që dyshohet se planifikoi atentatin ndaj Kurtit, ky është sqarimi deputetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, shihet në një foto me snajperistin Prekë Kodra, që dyshohet për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti edhe Ismet Haxhës.

Fotografia e siguruar nga portali Shqip.com, ku deputeti Selmanaj shihet në një tavolinë me të dysharin Kodra, thuihet të jetë realizuar në Prizren në fund të vitit 2020, në kohën kur Selmanaj ishte zëvendëskryeministër.

Pas publikimi të kësaj fotografie ka reaguar deputeti Selmanaj, përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “aty kanë qenë dy mysafir nga Shkodra, miku i familjes sime dhe disa të afërm të mikut tim”.

“Ka qenë fundi i vitit 2020, unë isha rrugës në relacionin Prishtinë – Prizren dhe më merr në telefon Beg Salihi (mik i familjes sonë / vllau i gruas së djalit të axhës tim), ku më thotë që nëse ke pak kohë eja ta pijmë nga një kafe se i kam ca miq nga Shkodra. Unë për respekt për mysafirët nga Shqipëria ndalem në një restoran në fshatin Korishë të Prizrenit”, thotë Selmanaj.

Postimi i plotë i Selmanajt:

“Sqarim

Para pak orësh e kuptova që në mediet e Shqipërisë po qarkullon një fotografi ku unë ndodhem me një tavolinë me personin që ditëve të fundit është bërë lajm për planifikim atentatesh në Kosovë. Po e ndjej të nevojshme ta sqaroj në detaje gjithë ngjarjen se si kam qëlluar unë në atë tavolinë.

Ka qenë fundi i vitit 2020, unë isha rrugës në relacionin Prishtinë – Prizren dhe më merr në telefon Beg Salihi (mik i familjes sonë / vllau i gruas së djalit të axhës tim), ku më thotë që nëse ke pak kohë eja ta pijmë nga një kafe se i kam ca miq nga Shkodra. Unë për respekt për mysafirët nga Shqipëria ndalem në një restoran në fshatin Korishë të Prizrenit.

Aty kanë qenë dy mysafir nga Shkodra, miku i familjes sime dhe disa të afërm të mikut tim.

Në restoran kemi qëndruar përafërsisht mbi 1 orë dhe nga ajo ditë personin në fjalë nuk e kam takuar kurrë. Pra kjo ka qenë hera e parë dhe fundit që e kam takuar dhe as atëherë dhe as sot emrin nuk ja kam ditur. Kjo ka qenë e gjitha! Çdo shpjegim apo intepretim tjetër është GABIM dhe GËNJESHTËR.

Fatmirësisht apo fatkeqësisht ne si deputet apo persona publik, jo rrallë herë na bjen të takohemi me shumë njerëz dhe asnjëherë para apo gjatë takimit me ta, ne nuk ua kërkojmë biografitë apo CV- të e tyre. Me gjasë ky është rrisku që duhesh ta paguash kur je person publik”, ka shkruar Selmanaj.

Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria.

Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik, këtë të hënë, nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

Lidhur me këtë Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti dhe AKI-ja kanë qenë të njoftuar për këtë rast.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në njoftim.

Më tej Zyra e Kryeministrit thekson se “rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu