Duma- Ramës: Je kryeministër që fshihesh pas Facebook-ut, kërko drejtësi për shqiptarin që ju mor shpirti

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama, i cili siguroi se qeveria shqiptare po ndjek hap pas hapi rastin e vdekjes së shqiptarit në rajonin e policisë në Greqi.
Në reagimin e saj në “Facebook”, Grida Duma thekson se kryeministri nuk mund t’i fshihet detyrimit që ka, për ta ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë politik. “Ti je kryeministër dhe fshihesh pas facebook-ut ndërsa duhet të bëje gjithçka, nga dërgimi i një grupi të posaçëm specialistësh për të ndihmuar hetimin, tek kërkesa për takim urgjent të nivelit me të lartë të mundshëm politik; për ti dhënë rastit vëmendjen dhe peshën më të madhe të mundshme. Jo vetëm kaq por për ti treguar shqiptarëve që ka një shtet që i mbron. Ndërsa ti në ditën e katërt i përgjigjesh publikut se Ambasada shqiptare po informohet si po vijojnë hetimet … ironi dhe tallje!”- shkruan Duma.

REAGIMI I PLOTE I GRIDA DUMAS

Rama i tregon njerëzve letra të Ministrisë së Punëve të Jashtme se po kërkohet informacion për vrasjen e përbindshme të shqiptarit Pëllumb Marnikolli në stacionin e policisë greke. Ramën as petku dhe as karrigia kryeministrore nuk e bëri një gram kryeministër, nuk i dha një gram forcë apo mision.

Jo zotëri, ti nuk mund ti fshihesh detyrimit që ke për ta ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë politik. Ti si kryeministër nuk mund të reagosh i fundit, pas opozitës dhe pasi ministria jote nxjerr deklarata se po kërkon informim. Reagimi i një kryeministri nuk mund të vijë si reagimi i shqiptarit të fundit dhe as mund të jetë i njëjtë me atë të një zëdhënësi lajmesh.

Vrasja e 29-vjeçarit në policinë greke është e kobshme dhe na vë të gjithëve në provë, por të parin ty zoti kryeministër! Është prova nëse mundemi dhe a duam të mbrojmë qytetarët shqiptarë të cilët në mënyrë të përsëritur kanë pësuar dhunë në institucionet e dënimit apo të rendit publik në Greqi. Sepse është rast i përsëritur, për pasojë detyrimi është më i madh.

Ndërsa ti fshihesh pas ca letrave, njerëzit e thjeshtë po sakrifikojnë jetët dhe punët e tyre për të kërkuar drejtësi për shokun, mikun tashmë të vdekur. Sportisti shqiptar që e njihte rastin e denoncoi dhunën ndaj shokut duke marrë përsipër sakrificën reale për këtë denoncim.

Ti je kryeministër dhe fshihesh pas facebook-ut ndërsa duhet të bëje gjithçka, nga dërgimi i një grupi të posaçëm specialistësh për të ndihmuar hetimin, tek kërkesa për takim urgjent të nivelit me të lartë të mundshëm politik; për ti dhënë rastit vëmendjen dhe peshën më të madhe të mundshme. Jo vetem kaq por për ti treguar shqiptarëve që ka një shtet që i mbron. Ndërsa ti në diten e katërt i përgjigjesh publikut se Ambasada shqiptare po informohet si po vijojnë hetimet … ironi dhe tallje!

Ndryshe nga ti, gazetarë që kanë mision të vërtetën dhe drejtësinë po i faktojne publikut që në trupin e të ndjerit janë fikur cigare dhe ka shenja dhune makabre që kanë shkaktuar vdekjen e tij. Gazetarët, miqtë, njerëzit që nuk e pranojnë këtë padrejtësi janë duke bërë “kryeministrin” e vërtetë. Ti nuk je i tillë, se një kryeministër do kishte përdorur të gjitha mjetet për të kërkuar drejtësi për një shqiptar që ju mor shpirti nga dhuna në qeli.

Janë qindra mijëra shqiptarë në shtetin fqinj që presin të shohin se do mund të mbrohen nga shteti i tyre amë. Sado pak ta doje ti këtë vend do të kujtoheshe sa shumë i detyrohemi ne shpatullave dhe djersës së emigrantëve që e kanë mbajtur Shqipërinë në ditët e këqija të varfërisë së familjeve të tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu