Dyqani i Samet Ziberit në Tetovë, “ruajtësi i traditës së veshjeve kombëtare shqiptare”

Ky është dyqani i vetëm në Tetovë ku mund të porositen veshje kombëtare shqiptare. Veshje të punuara me lesh, veshje e cila kohë më parë kanë qenë simboli që ka identifikuar shqiptarin kombëtar. Samet Ziberi është rrobaqepës, ndërsa punimin e veshjeve kombëtare e ka filluar para pesë viteve.

“Me rrobaqepësi merremi 30 vite, ndërsa me veshjet kombëtare kemi filluar para pesë viteve, shkaku se kishte mungesë kush me i punuar dhe qepur. Kërkesë ka, nuk është shumë por kanë filluar njerëzit, ndoshta ka qenë shkaku se nuk kanë pasur ku t’i qepin, por kanë filluar, tash kërkesë ka“, tha Samet Ziberi – rrobaqepës.

Sipas Ziberit mërgimtarët janë blerësit më shpeshtë. Shumica e teshave tradicionale blihet nga mërgata e Kërçovës dhe Gostivarit, ndërsa vitet e fundit edhe mërgata e Tetovës. Problem sipas tij është gjetja e materialit të leshit për të punuar tirqet, sidomos leshi që është i punuar me dorë.

Më shumë i blejnë mërgimtarët, më shumë Kërçovarët, Gostivar më shumë, ndërsa më pak të Tetovës. Veshjet kombëtarë ndryshojnë, ajo e Kërçovës ndryshon nga e Tetovës dhe Gostivarit. Tetova dhe Gostivari kanë veshje thuajse të njëjta, por tash nuk e shikon kush me vetëm të jetë veshje kombëtare. Materiali është i leshit janë të punuar me dorë, por edhe të fabrikës. Mund të them se në trevat tona shqiptare nuk mund të gjesh, por nga maqedonasit marr”, theksoi Samet Ziberi – rrobaqepës.

Me kalimin e viteve veshjet kombëtare kanë ndryshuar. Në rajonin e Pollogut tirqet e malësisë janë më klasike, të bardha me të zezë, ndërsa mërgimtarët zakonisht porosisin veshje kombëtare me ngjyra dhe shqiponjë.

“Ka ndryshuar veshja tradicionale, jo vetëm te ne. Ka ndryshuar në Kosovë e Shqipëri. Edhe ata i shihni në fotografi, na porosisin atë model dhe unë e shohë se në malësi origjinalin shumë pak e kërkojnë”, pohoi Samet Ziberi – rrobaqepës.

Për Sametin rasti më emocional ka qenë kur një nënë ka sjell djalin dhe i ka thënë se dhëndër do të bëhesh me veshje kombëtare.

Ma kënaqësi ka qenë kur ka ardhur një nënë e ka marr veshjen për dhëndër. Ka dy raste kur nëna i ka thënë djalit se fillimisht ta veshësh këtë për dhëndër dhe më pas teshat tjera. Unë e kam kënaqësi edhe kur e punojë. Kur filloj me këtë, nuk merrem me sende tjera, dhe këtë duhet ta duash dhe ta punosh”, u shpreh Samet Ziberi – rrobaqepës .

Çmimi i një palë rrobave kombëtare shkon nga 170 deri në 700 euro. Brenda një viti Sameti thotë se ka rreth 40 qytetarë që bëjnë porosi për veshje të këtilla.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu