E çoi djalin për shërim në “Zhan Mitrev” e mori pa jetë, nëna nga Prishtina padit spitalin

E çoi djalin për shërim në “Zhan Mitrev” e mori në arkivol, nëna nga Prishtina padit spitalin. “Djalin e dërgova në spitalin ‘Zhan Mitrev’, në tetor të vitit të kaluar, në këmbë të veta. Aspak në gjendje kritike. Dhe, u desh ta marr në arkivol”.

Kështu nis rrëfimin për Radion Evropa e Lirë Sanija Gjakova, një grua nga Prishtina, e cila është në mesin e së paku tetë familjeve të tjera që kanë ngritur kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, “Zhan Mitrev”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas vdekjes së të afërmve të tyre.

Djali i Sanijas, Edoni, 43 vjeç, ka vdekur në dhjetor të vitit të kaluar, pas, siç thotë e ëma, një trajtimi prej rreth dy muajsh në “Zhan Mitrev”.

Ky spital ka përbërë tituj lajmesh këtë javë, pasi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetime kundër tij, nën dyshimet për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve që kanë vdekur, përfshirë disa të sëmurë me sëmundjen COVID-19.

Hetimet kanë nisur pasi rrjeti i gazetarisë hulumtuese, IRL, ka transmetuar më 18 korrik një emision me titull “Gjaku i papastër”.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar, i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti. Ky trajtim, sipas IRL-së, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë gazetarja Sashka Cvetkovska, pjesë e grupit hulumtues.Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare” Sashka Cvetkovska.

Në reagimin e parë, spitali i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato janë “të fabrikuara” për të krijuar “një imazh të rremë”.

Nga IRL-ja kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se rasti i Edon Gjakovës nga Kosova është përfshirë në raportin e tyre hulumtues “Gjaku i papastër”.

Edoni është infektuar me baktere, thotë e ëma

Nëna e Edonit, Sanija, thotë se djali i saj ka bërë kontrolle të rregullta vjetore në spitalin “Zhan Mitrev”, pasi, 13 vjet më herët, ka pësuar arrest kardiak.

Në tetor të vitit të kaluar, kujton ajo, Edoni ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin në Shkup, për shkak të disa shqetësimeve në bark. Kanë kaluar disa ditë derisa u është nënshtruar kontrolleve dhe trajtimeve të ndryshme, të cilat, siç thotë ajo, i ka vetëfinancuar me mijëra euro.

Pas laparoskopisë, Edonit ka filluar t’i përkeqësohet gjendja. Unë e pyeta doktoreshën se përse kollitet… Më tha se qëndron i shtrirë…”, thotë Sanija.

Këtë kontroll mjekësor, Edoni e ka kryer në mes të nëntorit, sipas nënës së tij. Mjekët, tregon ajo, i kanë thënë se dyshojnë se pacienti ka “ndezje të zorrës së trashë”.

Gjendja e tij ka vazhduar të rëndohet dhe, më 13 dhjetor, pas konfirmimit të marrë nga familja, mjekët në “Zhan Mitrev” kanë vendosur ta trajtojnë Edonin me filtrim gjaku – pas të cilit trajtim Edoni ka vdekur.

Nëna e tij dyshon se ai është infektuar me baktere vdekjeprurëse, që, siç thotë, ka dëgjuar se kanë qarkulluar në spital në atë kohë.

Ajo thotë se dyshimet i janë rritur edhe më shumë kur në fletëlëshimin e spitalit, pas vdekjes së Edonit, ka parë të ketë shkruar se ky institucion “e ka trajtuar mirë të ndjerin dhe familja e tij nuk do ta padisë për asgjë”.

Pas këmbënguljes së familjes, thotë Sanija, spitali e ka hequr këtë fjali nga raporti.

Në prill të këtij viti, familja Gjakova, përmes avokatit nga Shkupi, Asmir Alispahiq, ka ngritur kallëzim penal kundër punonjësve të spitalit “Zhan Mitrev” për trajtim joadekuat të Edonit.Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore” Asmir Alispahiq.

Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore [gjatë trajtimit të Edonit]”, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati Alispahiq, pa ofruar shumë detaje.

Autoritetet e spitalit e kanë hartuar dokumentacionin mjekësor në atë mënyrë që palët e dëmtuara të mos kenë mundësi të informohen për arsyen që ka çuar te vdekja e pacientit”, thotë Alispahiq dhe shton se për këtë rast, ka informuar edhe rrjetin hulumtues, IRL.

Pas transmetimit të hulumtimit të këtij rrjeti, kanë dalë edhe qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut që kanë paralajmëruar hapa ligjorë kundër spitalit “Zhan Mitrev”.

“Mjekët më jepnin informacione kundërthënëse”

Një ndër ta është Valentin Allçev, 43 vjeç, nga qyteti i Velesit, nëna e të cilit, 72 vjeçe, ka vdekur në spitalin “Zhan Mitrev”, në janar të këtij viti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjatë qëndrimit disaditor të nënës së tij në spital, është përballur me informacione kundërthënëse nga vetë mjekët.

“Mjekët në telefon më thoshin një gjë dhe, kur shkoja në vizitë, më thoshin diçka tjetër”.

Ua kërkova rezultatet e gjakut, por nuk m’i dhanë. Një mjek më tha se nënës i është rritur njësia e leukociteve… Mjekja tjetër më tha se nëna ka bakter në gjak”.Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thanë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit” Valentin Allçev.

Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thanë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit”, thotë Valentini.

I dyshimtë, sipas tij, është fakti se në fletëlëshimin që i ka dhënë spitali, pas vdekjes së nënës, nuk përmendet askund se pacientja ka pasur bakter.

“Fletëlëshimin e kam marrë pas tri javësh, nuk thuhet gjëkundi se ka pasur bakter, por vetëm se është trajtuar për COVID-19”, thotë Valentini.

Çfarë thonë nga “Zhan Mitrev”?

Nga spitali “Zhan Mitrev” thonë për Radio Evropa e Lirë se të gjithë pacientët marrin fletëlëshime të plota, ku janë të shënuara të gjitha trajtimet, medikamentet dhe procedurat e trajtimit, por nuk komentojnë raste individuale.

Ata shtojnë se bashkëpunojnë me institucionet dhe se do të ofrojnë gjithçka që kërkohet prej tyre.

Institucionet kërkojnë më shumë kohë për hetime

Përgjegjësia mjekësore apo institucionale në rastin e spitalit “Zhan Mitrev”, aktualisht, nuk është përcaktuar. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, kërkoi më shumë kohë për hetimin e rastit dhe marrjen e informacioneve konkrete.

Në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Shkup, Sali nuk dha përgjigje konkrete mbi pretendimet për eksperiment, e as për përdorimin e metodës së filtrimit të gjakut, e cila aplikohet te pacientët me sëmundje të rënda dhe lejohet te pacientët me COVID-19.

Ai tha se gjatë pandemisë COVID-19, asnjë sistem shëndetësor nuk ka përdorur trajtime të bazuara në fakte. Sipas tij, “trajtimet janë bazuar vetëm në rekomandime”.

Nga inspektimi i Agjencisë për Barna dhe Pajisje Mjekësore të Maqedonisë së Veriut, e cila duhet të konstatojë nëse është ndjekur procedura e testimeve klinike të pastrimit të gjakut ose jo, nuk ka ende rezultate.

Është logjike që të jepet pak kohë për të përcaktuar gjithçka sipas protokolleve, rregulloreve dhe ligjeve”, tha Lirim Shabani, drejtor i kësaj agjencie.

Gazetarja e IRL-së, Sashka Cvetkovska, që ka hulumtuar rastin, thotë se shpreson, ashtu si edhe gjithë publiku, që institucionet ta zgjidhin atë.

Do të isha shumë e zhgënjyer nëse kjo nuk ndodh”, thotë Cvetkovska për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë treguan inspektimet e mëparshme?

Në tre vjetët e fundit, Inspektorati Sanitar Shtetëror i Maqedonisë së Veriut ka kryer 45 inspektime të rregullta dhe 52 inspektime të jashtëzakonshme në 12 institucione shëndetësore private.

Detajet i bëri të ditura drejtoresha Irinka Sotirovska Buhova, e cila tha se në “Zhan Mitrev” janë kryer tri kontrolle të rregullta dhe nëntë të jashtëzakonshme – pesë prej të cilave për raportim të trajtimit jashtë protokollit. Por, sipas saj, pas inspektimit, këto mangësi janë sanuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu