Diplomatja amerikane Yuri Kim, e cila është propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump për ambasadore në Tiranë, ka dalë sot në një seancë dëgjimore para Komisionit të Jashtëm të Senatit. Diplomatja Kim është shprehur para anëtarëve të Senatit se “nëse do marrë aprovimin do të ndihmojë Shqipërinë në vijimin e reformave”. Në hyrje të fjalimit të saj, kandidatja për ambasadore vlerësoi simpatinë dhe besnikërinë që shqiptarët kanë shfaqur ndaj SHBA-së.
“Shumë pak miq e kanë përqafuar më ngrohtë SHBA-në. Sondazhe pas sondazhesh tregojnë se mbështetja e shqiptarëve për SHBA-në mbetet më e larta në botë. Shumë pak miq kanë qenë më besnikë. Trupat shqiptarë kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe krahun lindor të NATO-s. Pak partnerë janë kaq të gatshëm për të bërë më shumë me SHBA-në.
Ne kemi miq të fuqishëm dhe besnikë në Shqipëri, dhe është e domosdoshme që ne të mbajmë pranë miq si Shqipëria, veçanërisht përballë sfidave strategjike ndaj interesave, vlerave dhe institucioneve të përbashkëta”, u shpreh diplomatja Kim. Në vijim të fjalës së saj diplomatja amerikane u shpreh se do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate. “Do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë.
Do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik. Do të punoj për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri, në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet…Do të ndihmoj shqiptarët të forcojnë institucionet e tyre që të kenë më shumë rezistencë ndaj përpjekjeve ruse dhe Kinës që përpiqen të infiltrojnë në ekonominë e tyre. Do të punojmë ngushtë për të zhvilluar kapacitetet si aleat i NATO-s” tha kandidatja për ambasadore në Shqipëri, e nominuar nga Presidenti Trump.










