Që Kryeministri i vendit nuk i “honeps” mediat në Shqipëri, kjo tashmë është një çështje e njohur, por që Edi Rama t’i bëjë intervista deputetëve dhe përfaqësuesve të tij në PS, është një fenomen që nuk është dëgjuar apo parë ndonjëherë.
ERTV mund të jetë një emër që nënkupton të paktën një nivel megalomanie, por kësaj here kryeministri ka vendosur që ta përdorë median sociale e konkretisht faqen e tij zyrtare si një mjet të shpërndarjes së informacionit, duke i bërë haptazi bisht asaj që në vendet e zhvilluara quhet “pushtet i katërt”. Kudo në botë, është media ajo që mban peshën kryesore të “Whatch Dog-ut” (“qenit vëzhgues”) në një vend demokratik, por duket se Rama ka vendosur që ta marrë për vete edhe këtë atribut.
Ditën e djeshme, jo të paktë ishin ata shqiptarë që janë habitur nga njoftimi se kryeministri po transmetonte LIVE në rrjetin e tij social, një intervistë me Ministren e Arsimit Lindita Nikolla. Intervistuesi i Ministres është një gazetar i ri në moshë, pjesë e forumeve rinore të PS-së, dhe mban në dorë një letër me pyetje të parapërgatitura.
Këto janë dy elementet e njohur, pasi vendi, prania e disa kamerave dhe regjia që përdoren për kryerjen e këtyre intervistave mbeten të panjohura për publikun.
Një tjetër element shqetësues i këtij teatri është dhe fakti që mes të intervistuarit (përfaqësues i PS-së) dhe intervistuesit (lexuesi i pyetjeve të partisë) ka një tavolinë e cila poshtë ka grumbulluar një tufë gazetash që qëndrojnë në nivelin e këmbëve të personave. Një simbolikë e qartë për atë që Rama ka artikuluar kohë më parë, se ai nuk ka nevojë për median pasi të gjithë mediat në vend s’janë asgjë më shumë se veçse “kazanë”.
Por nëse dikush ka menduar se kishim të bëjmë vetëm me një rast sporadik, është i gabuar, pasi Rama ka vendosur që të përdorë më shumë se 1.1 milionë ndjekësit e tij në rrjetin social si “fushën” ku ai do të publikojë intervista të përgatitura nga qeveria për qeverinë.
Këtë të enjte, pas debateve të forta në parlament, në “ERTV Intervista” ka dalë kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili po i përgjigjet pyetjeve që janë përgatitur nga vetë partia e tij.
Edhe Liza e “Botës së Çudirave”, apo “Skënderbeu” i Elisa Spiropalit duken hiçgjë në krahasim me gjithë këtë mizanskenë që po konsumohet në rrjetin social të kryetarit të Ekzekutivit shqiptar, i cili mesa duket nuk ka ndërmend të ndalojë në qëllimin për të krijuar një televizion të ri në Shqipëri… shenjat e para flasin për një medium që rikthen standardin e kohës së Enver Hoxhës, miopinë dhe një urrejtje të dukshme për tjetrin dhe atë që gjykon e mendon ndryshe nga partia në pushtet.
Rama prej vitesh flet për Rilindjen dhe për faktin se ai është një “student” i Faik Konicës dhe Fan Nolit, por kujt do t’i shkonte ndërmend që këto dy figura do të flisnin me veten për të “mirëinformuar” popullin e tyre…?!
Një pyetje lind natyrshëm… a është kjo Rilindja e Shqipërisë…apo një autizëm absurd i qeverisë, që tashmë ka filluar të flasë me veten?!














