E qeshura e Kovaçevskit me shakanë e Ramës. VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e kryeministrit, LSDM të Mickoskit

E qeshura e kryeministrit të vendit Dimitar Kovaçevski dhe mos reagimi ndryshe ndaj shakasë së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për opozitaren VMRO-DPMNE është “turp në arenën ndërkombëtare”, andaj përveç faljes kërkojnë që Kovaçevski të japë edhe dorëheqje.

Çfarë ka për të qeshur dhe për t’u gëzuar z.Kovaçevski, nëse me këtë qasje të hyzmeqarit reagoni në të tilla poshtërime dhe nënçmime të Republikës së Maqedonisë, atëherë është e qartë se ju nuk keni kredibilitet dhe autoritet në marrëdhëniet ndërkombëtare që t’i përfaqësoni dhe mbroni interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase”, tha Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE.

Por partia e kryeministrit, LSDM mendon se është pikërisht Mickoski duhet të japë dorëheqje, sepse siç thonë, ndryshe flet në shtëpi, e ndryshe bën kur është jashtë vendit! Përmendin pjesëmarrjen e tij në Kongresin e Partive Popullore Evropiane, ku sipas LSDM-së, u soll rezolutë që i përkrahë qëndrimet e Bullgarisë dhe është në kundërshtim me Deklaratën e miratuar në Kuvend për pozitat dhe vijat e kuqe të Maqedonisë.

“Ai është pjesëmarrësi në Roterdam në kongresin e EPP ku u miratua rezolutë në të cilën janë futur edhe qëndrimet bullgare. Pikërisht Hristijan Mickoski është ai i cili duhet t’u kërkojë falje qytetarëve dhe që duhet të japë dorëheqje”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM.

Socialdemokratët këtë e quajnë dyfytyrësi të Mickoskit që sipas tyre minon pozitat shtetërore në momentet kyçe për integrimet evropiane dhe nga ana tjetër shet patriotizëm të rrejshëm. Po nga ana tjetër, për VMRO-DPMNE-në, ngjarja e fundit e Kovaçevskit në Selanik kur u quajt “kryeministër i ardhshëm i Bullgarisë Perëndimore”, është një arsye më shumë që qytetarët të dalin në protestën e 18 qershorit. Përndryshe Kabineti i kryeministrit Rama është sqaruar për fjalët e kryeministrit shqiptar, për të cilat thanë se janë “sarkazëm me Bullgarinë dhe ironi me BE-në”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu