Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, ka dërguar një mesazh shumë të ashpër në drejtim të BE-së, duke thënë se Prishtina nuk po i respekton marrëveshjet.
Ajo ka thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet ta testojë durimin e Serbisë, por të kuptojë rrethanat dhe të veprojë në bazë të tyre, raporton medium serb ‘telegraf’.
Në një fjalim publik, Brnabic, ka thënë se duhet një durim i madh për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës, të cilët sipas saj janë “ të papërgjegjshëm, të pa parashikueshëm dhe njerëz që nuk I respektojnë marrëveshjet”.
Ajo ka thënë se nuk e kupton heshtjen e Bashkimit Evropian, që sipas saj po i shërben Prishtinës për më shumë se pesë vite për të mos respektojë marrëveshjet për vizita të zyrtarëve serb në Kosovë.
Kjo deklaratë e Brnabic vjen pas vendimit të autoriteteve kosovare që Vuçiqit t’i lejohet vizita në Kosovë por jo edhe në Liqenin e Ujmanit.










