Edi Rama i shpall luftë TopChannel, nxjerr kërkesën për marrje fondesh dhe shkruan: Duan lekë me pahir

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar këtë të mërkurë televizionin kombëtar Top Channel, pas një investigimi që u transmetua mbrëmjen e djeshme për fondet që jep AZHBR. “Gllabërimi i parave të bujqësisë”, ishte titulli i emisionit, me të cilin Rama ka nisur reagimet e sotme.

Fillimisht, kryeministri ka publikuar një dokument përmes të cilit Top Media (shoqëria mediatike që ka në pronësi Top Channel) i kërkonte Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural një fond prej 120 milionë lekësh të vjetra, në këmbim të reklamës. Sipas Ramës, duke qenë se kjo nuk është pranuar, ka nisur shantazhi.

“Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiparëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj!

Atëherë pllaka kthehet përmbys dhe dynjasë i jepet një emision i tërë me gllabërim parash të bujqësisë, një fabrikim nga fillimi në fund me gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, e ngjashme si dy pika uji me një fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane…”, shkroi fillimisht kryeministri.

Mirëpo, Edi Rama nuk është mjaftuar vetëm me reagimin e mëngjesit. Ai ka publikuar një dokument tjetër, përmes të cilit Top Channel vlerësonte punën e bërë nga institucionet shtetërore, në të njëjtën kërkesë ku kërkohej fondi prej 120 milionë lekësh për reklamë.

“Ja opinioni i pamaskuar i medias në fjalë për zhvillimin e fermave me mbështetje nga AZHBR, në letër kërkesën për 120 milion lekë që ta ndajë këtë të vërtetë me publikun…

Ja edhe maska e medias në fjalë pasi nuk merr lekët e kërkuara me hir, në përpjekjen për t’i marrë me pahir duke helmuar opinionin publik me kronika të mbushura me gjysëm të vërteta (të cilat janë edhe rrenat më të mëdha), e të ambalazhuara me tituj bombastikë të gënjeshtërt…”, thuhet në një reagim të dytë, të pak minutave më parë nga Edi Rama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu