Edi Rama sot pritet të mbledh liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut

Krerët e partive politike të shqiptarëve në vend sot pritet të shkojnë në një takim në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Sipas ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, takimi me shumë gjasa do të jetë për të shënuar festat e fundvitit dhe fillim vitin e ri e njëkohësisht të diskutohet edhe mbi gjendjen aktuale të të dyjave vendeve.

E shoh edhe këtë takim si një në të cilin do të këmbehen informacione për zhvillimet aktuale në dy vendet tona, në rajon dhe pse jo edhe për sfidat me të cilat do të ballafaqohen vendet tona në vazhdim”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Osmani mendon se nuk duhet të krijohen teori konspiracioni me temën e takimit për shkak se kryeministri Rama tashmë është dëshmuar si mik i Maqedonisë. Por nga VMRO-DPMNE-ja si duket nuk mendojnë kështu. Sipas tyre në Tiranë do të diskutohet për çështjen maqedonase.

Interesante është fakti se si vetëm LSDM nuk ka asgjë kundër këtij takimi ku çështjet maqedonase koordinohen në Tiranë. Është e qartë se Aliu do ta mësojë Tiranën për agjendën e gjelbër ose Tirana do të përgatisë platformën e dytë të Tiranës të cilën pastaj Aliu do të ja japë Kovaçevskit. Marrëveshja e vetme e cila duhet të jetë është unifikimi kundër krimit dhe marrëveshje për zgjedhje që populli të vendosë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndërkaq, sipas burimeve të TV21 në ASH, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari para Shqipërisë, do të qëndrojë në Kosovë ku, do të takojë krerët shtetëror dhe liderët e partive politike. Taravari në Prishtinë do të pritet nga Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi. Takimet i kanë konfirmuar nga kabineti i Taravarit prej ku thonë se do të bisedohet kryesisht për zhvillimet e fundit politike dhe rajonale, si dhe temat me interes të përbashkët.

Pas vizitës në Prishtinë, Taravari do të udhëtojë për në Tiranë ku do të takojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të darkës që ka organizuar për liderët e partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut.

Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli dje deklaroi se partia e tij ka marrë ftesë për takimin e njerëzve të parë të partive shqiptare në vend me kryeministrin shqiptar Edi Rama, por tha se ata nuk do të marrin pjesë në të. Ai vlerësoi se ky takim është në dobi të BDI-së dhe se gjithmonë kur kjo parti ka probleme të brendshme mbahen takime të tilla në Tiranë.

Kemi ftesë nga kryeministri i Shqipërisë për takimin e nesërm. Kryesia qendrore vendosi që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama, por si parti politike Lëvizja Besa nuk jemi gati të ulemi në të njëjtën tryezë me BDI-në. BDI-së në këtë moment i duhet një takim në Tiranë. Nuk shohim që dikush tjetër ka nevojë për një takim të tillë. BDI ka interes për një takim të tillë siç e ka keqpërdorur në vitin 2017 për qëllimet e veta. Sa herë që kanë problemet e tyre të brendshme me kundërshtarët e tyre të brendshëm, (BDI) kërkojnë ndihmë nga rajoni. Ne nuk shohim se duhet t’u vijmë në ndihmë tani”, tha Zendeli.

Ai potencoi se kur partitë politike të shqiptarëve kanë kërkuar të ulen në tryezë që të dakordohen disa çështje, lideri i BDI-së nuk ka qenë i gatshëm të ulen në tryezë dhe të dakordohen për disa çështje, lideri i BDI-së asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm të flasë me ta, ndërsa edhe në disa media i ka ofenduar ata.

“Nëse jemi të poshtër, atëherë nuk shohim arsye të ulemi me të në të njëjtën tavolinë kur ai ka nevojë”, tha deputeti i Besës, duke shtuar se do të kenë takim me kryeministrin e Shqipërisë, por jo kur është vetëm në interes të BDI-së.

Nga Alternativa për MIA kanë konfirmuar se në takim do të marrë pjesë edhe kryetari i partisë Afrim Gashi, por nuk dihet se për çfarë do të diskutohet.

Takimi i formatit të tillë liderësh për herë të parë ka ndodhur në Tiranë më 29 dhjetor 2016, nga i cili doli një Deklaratë e përbashkët e partive politike shqiptare për ruajtjen e interesit të shqiptarëve. Gjatë këtyre viteve kreu i BDI-së, Ali Ahmeti kishte ftuar një takim tjetër, por ishte bojkotuar nga liderët tjerë për shkak të deklaratës së tij publike se “nuk ulet me horra”. Një tentim i dështuar ishte edhe ai i Kasamit në nëntorin e vitit të kaluar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu