Ekspertët: Herët të flitet për shkaqet e rrëzimit të avionit “Pajper” (VIDEO)

Është herët të thuhet se cilat janë shkaqet e mundshme për fatkeqësinë ajrore në të cilën humbën jetën gjashtë persona. Kiril Kaevski, pilot në pension dhe njeriu që ka marrë pjesë në disa komisione për zbardhjen e fatkeqësive të ngjashme më të mëdha thotë se duhet të pritet një hetim i gjatë për shkak të llojit të avionit.

“E gjithë kjo sipas meje do të jetë problem meqë ky aeroplan nuk e ka të montuar të ashtuquajturën kuti të zezë. Mendoj se hetimi do të zgjasë për shkak se gjatë mosekzistimit të instrumenteve të tilla do të duhet të bëhet një hetim dhe studim shumë më i gjerë i secilit detaj”, tha Kirill Kaevski, pilot në pension.

Sipas Kaevskit, në këtë fazë do të shqyrtohen të gjitha skenarët e mundshëm. Për spekulimet në opinion se ekziston mundësia që avioni të ketë mbetur pa karburant, ai thotë se një gjë e tillë eshtë e mundur, por së paku për të kjo nuk është shumë e besueshme.

“Në këtë fazë asgjë nuk duhet të hidhet poshtë mirëpo thjeshtë dyshoj se pilotët do të lejonin që të ngelin pa karburant dy minuta para uljes. Mirëpo, gjithçka është e mundshme”, deklaroi Kaevski.

Fatkeqësia ajrore ndodhi në afërsi të vendit ku para 8 viteve ra një helikopter i Ushtrisë së Maqedonisë. Kaevski shprehet se nuk bëhet fjalë për pikë të zezë, por për faktin se ulja është pjesa më e rrezikshme e fluturimit.

“Në këtë pjesë të fluturimit ndodh numri më i madh i fatkeqësive. Kështu që nuk mund të themi se nuk është e çuditshme që në këtë fazë të ndodhë fatkeqësia, për shkak se aeroplani është shumë afër tokës, me shpejtësi të vogël, në mot të keq”, tha Kaevski.

Sipas Kaevskit, aeroplani që u rrëzua në afërsi të aeroportit të Shkupit, ka pasur pajisje për ulje instrumentale. Me fjalë të tjera, aeroplani ka pasur pajisje me të cilën mund të ulet edhe në kushte me dukshmëri të vogël, siç ishte rasti me motin e keq të së martës./Alsat-M


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu