Elton Deda: Ëndrra për t’u bërë pilot ushtarak dhe konflikti me babain për karrierën

Elton Deda vjen në një intervistë të rrallë për Albeu.com duke folur mbi fëmijërinë e tij, ëndrrat në vegjëli si edhe mos miratimin në fillim nga babai i tij për rrymën e muzikës ku ai do të zhvillonte karrierën.

Ju i përkisni një epoke muzikantësh që shënoi fillimet e një epoke të re në muzikën shqiptare. Nga vinte kjo rrymë muzikore, ishte krijimtari apo u referuat diku?
Sigurisht që kishte reminishenca me muzikën që dëgjohej atëherë. Diku duhet të mbështeteshin krijimet tona kurse subjekti ka qënë tërësisht në atë që po ndodhte në Shqipërinë e asaj kohe.

Meqë po flasim për fillimet e karrierës tuaj, patët një shkëputje nga tregu muzikor pse ndodhi kjo?
Sepse nuk mund të isha në dy vende njëkohësisht .(Qesh) Por mendoj që një muzikant, artist ka nevoj të marrë eksperienca të tjera. Të shikoj kultura të tjera që Shqiperia nuk i afronte.

Ju vini nga një familje muzikantësh, sa ka ndikuar babai juaj, kur dihet sa e vështirë ka qënë të bëje muzike në atë kohë, pasi muzika që ju këndoni është krejt e ndryshme?
Sigurisht ka patur një konflikt, duke qënë se babai ishte muzikant klasik.Ai pretendonte të shikonte shëmbëlltyrën e tij te djali i tij.

A mund të më flisni pak për fëmijërinë tuaj dhe angazhimet tuaja të atëhershme?
Fëmijëria ime ka qënë e jashtëzakonshme , siç ishte koha atëherë, luanim shumë me top, pasi video-games nuk kanë ekzistuar. Përgjithësisht aktivitetet ishin fizike në ç’do kënd lojrash që kishte nëpër lagje dhe sigurisht që mendjen nuk e kishim shumë te studimi i instrumentit.

Ju keni qënë pjesë e jurisë ‘’The voice of Albania’’ , ku edukuat mjaft talente.Cila ishte arsyeja e largimit tuaj?
Arsyeja e largimit tim kishte të bënte me një riformatim të ‘’The Voice’’, e caktuar nga drejtuesit e Topit.

Dua të di mendimin tuaj për mjaft këngëtarë, që janë shumë të klikuar, kjo vjen ngaqë muzika ka arritur një nivel cilësor apo….?
Në radhë të parë duhet specifikuar ,se cilët janë këta këngëtarë. Në rastë se janë këngëtarë komercialë dihet që edhe niveli i dëgjimit nuk është se ofron shumë.Në këtë kontekst , duke gjykuar që edhe tregu nuk është se ekziston, klikimet mund të mos jenë reale, të blera etj etj.

Përsa i përket vlerës që kanë apo nuk kanë, këto këngë nuk më takon mua ti gjykoj por publikut që i dëgjon ato. Nëse shprehja ç’do popull meriton atë qeveri që ka është korrekte,atëherë duhet konvertuar në sinonimin e saj: “Ҫ’do popull meriton atë muzikë që dëgjon”.

A mund të flasim për një identitet muzikor origjinal në muzikën shqiptare?
Identiteti i muzikës origjinale është tërësisht i varur nga formimi profesional dhe intelektual i kompozitorit që shkruan muzikën. Në kohët që jetojmë sot,dhe në disa vende të prapambetura të ballkanit, fatkeqësisht shikohet fama e shpejtë sesa edukimi që të çon në pikën që muzika e krijuar të ketë identitetin e vetë.

Fakti që shumica e këngëve dhe kompozimeve janë komplet të vjedhur ,nga motive që i dëgjojmë përditë, tregojnë që ata që i shkruajnë këto këngë ,nuk ia kanë idenë si shkruhet fjala muzikë.

Ju jeni një nga kontribuesit më të mëdhenj të muzikës rrok, sa preferohet nga audienca sot?
Më vjen keq ta filloj me fjalën fatkeqësisht.Muzika rrok është një mënyrë dhe filozofi e të jetuarit.

Rroku në të gjithë historinë e vetë ka një lidhje me Hip-Hopin e vjetër,që nuk shtiret dhe gjërat i ka thënë troç.

Rroku është një muzikë që transformohet nuk humb, më duhet ta pranoj që në kohët që jetojmë është tulatur në përgjithësi.
Kjo është diçka e përkohshme pasi shumë shpejt një pesticid shumë i fortë do ngordhi të gjitha barërat e këqija që momentalisht po i zënë frymën ‘’Trëndafilit të kuq’’.

Së fundmi jeni duke bërë një projekt me këngëtarët Aleksandër Gjoka dhe Redon Makashi,çfarë është në vetëvete ky projekt?
Muzika e të treve ne pa modesti, ka qënë dhe është një vlerë e shtuar e trashgimisë së pop-rrokut shqipëtar.

Kjo falë publikut që nuk na ka tradhtuar ndonjëherë, ka bërë që këngët tona ti rezistojnë çdo shiu dhe ere, i cili sa fillon, mbaron.

Për ti mbajtur gjallë ato, ne kemi menduar të sjellim një koncert gala me këngë të ripunuara dhe të shoqëruara nga një orkestër sinfonike.

Pra, në koncept koncerti është i përbërë nga hitet tona të vjetra dhe të reja,të interpretuara në një dimension tjetër.
Mbi të gjitha ,koncerti synon që jo vetëm nostalgjikët të kënaqen por edhe gjeneratat më të reja të informohen dhe shijojnë pikërisht mesazhin dhe misionin e një artisti të ndershëm që është përjetësia e punës dhe talentit.

Disa nga këto elemente do zbërthehen me detaje në koncert.Pritshmëritë janë të mëdha.

Sa herë ja vlen të dashurohesh në jetë, i qëndroni shprehjes ‘’njeriu dashuron vetëm njëher뒒?
Për mua njeriu nuk dashuron vetëm njëherë në jetë , por më shumë.

Nëse nuk do të ishit muzikant, çfarë profesioni tjetër do të kishit bërë në jetë?
Profesioni tjetër do të ishte pilot ushtarak, një ëndërr e hershme e fëmijërisë, nëse nuk do ma mbante të çoja civilë në luftë do bëhesha pilot i linjave civile.

Si e përfytyron veten Eltoni në të ardhmen?
Shumë më të plakur dhe me dëshira më të reja.(Qesh)
Cili është mesazhi që ju do tu jepnit artistëve të rinj?
Hani , pini dhe këndoni, ju përshëndet lala Toni.(Qesh) /Albeu


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu