Emri i dytë i PDK-së nuk u emërua, Haxhiu deklarohet pas betimit të anëtarëve të KQZ-së

Këtë të martë, në ceremoni zyrtare dhanë betimin nëntë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është deklaruar pas betimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, transmeton Klankosova.tv.

“Secilit prej tyre i urova suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme për garantimin e proceseve demokratike në vend. Kosova ka dëshmuar se ka një sistem zgjedhor të konsoliduar dhe ky standard duhet të ruhet e të forcohet vazhdimisht”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se gjatë ceremonisë së sotme, emri i dytë i anëtarit të PDK-së nuk u emërua.

Në prill të këtij viti PDK-ja ka kërkuar nga Haxhiu emërimin e anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përmes një letre drejtuar Haxhiut, PDK-ja i është referuar nenit 139 të paragrafit 4 të Kushtetutës së Kosovës me anë të së cilës, ka thënë se PDK-së në këtë rast i takojnë dy anëtarë.

Ndërsa VV kishte kërkuar që subjekti të përfaqësohet nga tre anëtarë për shkak të votave.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të papranueshme kërkesën e ish-presidentes Vjosa Osmani për sqarimin lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

PDK-ja pas aktvendimit të Kushtetueses me të cilin është deklaruar e papranueshme kërkesa për konflikt kompetencash ndërmjet Presidentes dhe grupeve parlamentare, ka kërkuar emërimin e anëtarit të dytë në KQZ, mirëpo kjo çështje nuk përfundoi në mandatin e Osmanit.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, gjashtë anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha shqiptare të përfaqësuara në Parlament, një anëtar nga radhët e pakicës serbe, kurse tre të fundit nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu