Enver Bytyçi: Koalicioni VMRO-VLEN në Maqedoninë e Veriut është detyrim politik dhe moral

Profesori Universitar Enver Bytyçi në një shkrim për gazetën Panorama të Tiranës, është shprehur se koalicioni VMRO-DPMNE dhe VLEN është një detyrim politik dhe moral.

Bytyçi duke shpjeguar publikut shqiptarë se si janë duke rrjedhur zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, shkruan se VMRO-DPMNE është fituese absolute e raundit të parë të zgjedhjeve. Madje ai, krahason votat të cilat i ka marrë opozita në tërësi në këto zgjedhje, duke thënë se dallimi mes partive të pushtetit dhe opozitës është mbi 150 mijë vota në favor të opozitarëve.

Sipas tij, kjo do të thotë se pas shumë vitesh Ali Ahmeti dhe Fronti do të qëndrojnë në opozitë.

“Vetë zoti Ahmeti nuk dëshiron ta pranojë këtë sfidë. Po bën përpjekje që të jetë në pushtet edhe me VMROnë, siç ishte me socialdemokratët. Pra, që ta ketë një dorë në bakllava e tjetrën në revani. Tipike për politikanët shqiptarë. Por është çudi se si një Koalicion Europian kërkon të bëjë qeveri të përbashkët me një parti “antieruropiane”, siç e kanë quajtur dy koalicionet në pushtet partinë e Mickovskit.

Kjo do të thotë se Ali Ahmeti ose mashtroi kur e quajti Mickovcin amtieuropian e prorus, ose mashtron shqiptarët iu thotë se është proeuropian. Ose njëra, ose tjetra”, shkruan Bytyçi.

Bytyçi shkruan se ndryshimi politik në Maqedoni, prish koalicionin Ballkanik Vuçiq-Rama-Zaev dhe sipas tij, kjo do të jetë fitorja më e madhe e shqiptarëve nga ky rezultat.

“Ka shumë prej shqiptarëve që ende i besojnë demagogjisë politike, sikur Mickovski na qenka një lindor, ndërsa këta aleatët e Vuçiç na qenkan perëndimorë, madje “që duan ta marrin me vete presidentin serb”! Për një gjë jam i sigurt, Mickovski është së paku po aq perëndimor sa edhe Zoran Zaev dhe Edi Rama. Të qenit perëndimor për t’u mbrojtur nga ndëshkimi për korrupsionin dhe bashkëpunimin me madien është antiperëndimorizëm”, shkruan më tej profesori universitar Enver Bytyçi.

Ai shton se opozita shqiptar e ka autoritetin dhe legjitimitetin e duhur të jetë partner i VMRO-së në pushtet.

“Argumenti se koalicioni i zotit Ahmeti merr pak më shumë deputetë sesa VLEN, nuk është bindës. Sepse përgjegjësia e qeverisjes së kaluar është jo vetëm e mazhorancës maqedonase. Kjo përgjegjësi është edhe e përfaqësuesve të Koalicionit Europian në qeverisje. Prandaj dhe të qenit në opozitë është jo vetëm çështje politike, por edhe morale. Dalja në opozitë krijon mundësi e shanse për reformim. Partitë politike nuk mund ta arrijnë reformimin e tyre duke qenë në pushtet. Sepse e pengon arroganca e pushtetit”, shkruan mes tjerash Bytyçi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu