Erdogan: Evropa ka nevojë për Turqinë më shumë sesa Turqia për Evropën

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, theksoi se në një kohë kur bota dhe rajoni po tronditen nga një vorbull konfliktesh, trazirash politike e ekonomike dhe tensionesh sociale, Turqia po lëviz vazhdimisht drejt qëllimeve të saj, pa devijuar nga kursi.

Erdogan vuri në dukje se po vendoset një botë e re, ku bashkëpunimi rajonal merr rëndësi, shfaqen aktorë të rinj dhe sistemi global po zhvillohet me shpejtësi drejt multipolaritetit. Ai shtoi se Turqia është ndër vendet më të forta, e gatshme për t’u bërë një nga liderët kryesorë të këtij sistemi të ri.

“Sot, nevoja e Evropës për Turqinë është më e madhe se nevoja e Turqisë për Evropën, dhe në të ardhmen kjo nevojë vetëm do të rritet”, theksoi Erdogan. Ai shtoi se Evropa ndodhet në udhëkryq – ose do ta shohë fuqinë në rritje dhe ndikimin global të Turqisë si një mundësi që Bashkimi të tejkalojë vështirësitë e tij aktuale, ose do të lejojë që retorika përjashtuese të mjegullojë të ardhmen e saj.

Ai shprehu shpresën se vendimmarrësit në Evropë do t’i braktisin paragjykimet e tyre politike e historike dhe do të fokusohen në zhvillimin e marrëdhënieve të sinqerta, të vërteta dhe të drejta me Ankaranë.

Erdogan nënvizoi se çdo incident i ndodhur tregon qëndrueshmërinë e Turqisë dhe çdo krizë vërteton përparimin e madh të arritur në 23 vitet e fundit, duke e forcuar më tej pozicionin e saj si një ishull stabiliteti.

“Në një kohë kur normat e vendosura po thyhen, pasiguria rritet dhe kërkimi i njerëzimit për orientim po përshpejtohet, Turqia veçohet si vendi më i fortë dhe më i qëndrueshëm në rajonin e saj. Me krenari të madhe do të thosha se sot ekziston një Turqi që mund të qëndrojë në këmbët e veta në çdo fushë, madje duke shkuar edhe përtej kësaj, duke mbështetur miqtë dhe vëllezërit e saj në kohët e tyre më të vështira”, tha Erdogan në adresimin drejtuar kombit pas mbledhjes së qeverisë, njofton TRT Haberler.

Erdogan tha se së fundmi kanë qenë dëshmitarë të disa debateve dëmshme mbi pozicionin e Turqisë në Evropë, të cilat u rinisën nga aktorët evropianë, duke shtuar se Ankaraja është nxjerrë nga tryeza e bisedimeve për arsye politike.

Ai deklaroi se Turqia ka ndryshuar, transformuar dhe forcuar ekonominë dhe demokracinë e saj, por se qasja e shtrembëruar e këtyre rretheve ndaj vendit nuk ka ndryshuar aspak.

Ai shpjegoi se, për dallim nga vendet e tjera kandidate, Turqia duhet të luftojë kundër një mentaliteti të tillë. Erdogan beson se BE-ja duhet ta vlerësojë lart qasjen konstruktive të Turqisë.

“Më vjen keq që duhet të them se ky rrugëtim vazhdon në të njëjtin terren. Për fat të keq, paragjykimi strategjik ndaj Turqisë ende ekziston në shumë institucione të Unionit, dhe atë në një mënyrë shumë të dukshme. Në këtë pikë, duhet të them hapur një fakt: Çështja sot nuk është se ku ndodhet Ankaraja, por ku dëshiron të jetë Brukseli në botën e së ardhmes, ku e sheh ai veten”, tha Erdogan, duke shtuar se Turqia nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një vend që kujtohet vetëm kur është nevoja, apo në derën e të cilit trokitet vetëm kur ka nevojë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu