Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Izraelin për vazhdimin e sulmeve dhe kufizimeve ndaj popullsisë palestineze në Gaza, duke thënë se vrasjet, uria dhe vuajtjet po vazhdojnë çdo ditë, ndërsa bota po i vëzhgon.
Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), në Ankara, Erdogan e cilësoi Gazën si „kampin më të madh të përqendrimit në botë“, duke kritikuar veprimet e qeverisë izraelite.
Ai paralajmëroi se me afrimin e dimrit, situata humanitare në enklavën palestineze mund të përkeqësohet edhe më shumë. Erdogan shprehu shqetësim veçanërisht për fëmijët dhe familjet që po përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira, mes përmbytjeve, baltës dhe mungesës së strehimit të përshtatshëm.
Kreu i shtetit turk kritikoi edhe vendet që, sipas tij, pretendojnë se mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut, por nuk po reagojnë sa duhet ndaj situatës në Gaza.
Ai u bëri thirrje vendeve myslimane që të shtojnë përpjekjet dhe presionin ndaj Izraelit, si dhe të intensifikojnë dërgimin e ndihmave humanitare për palestinezët.
„Në vend që të mbështetemi vetëm te të tjerët, ne si myslimanë duhet të veprojmë dhe të sigurohemi që të ushtrohet presion më i madh ndaj Izraelit“, deklaroi Erdogan.
Ai bëri të ditur se Turqia është e gatshme të dërgojë kontejnerë për familjet në Gaza dhe se po ndërmerr hapat e nevojshëm për shtimin e ndihmës humanitare.
„Edhe nëse të tjerët mbyllin sytë dhe veshët, ne nuk do të heshtim përballë shtypjes në Gaza“, tha presidenti turk, duke theksuar se vendi i tij do të vazhdojë angazhimin humanitar.
Paqëndrueshmëria globale në rritje
Duke folur edhe për zhvillimet ndërkombëtare, Erdogan paralajmëroi se bota po kalon një periudhë të thellë pasigurie dhe rivaliteti gjeopolitik.
Sipas tij, rendi i vjetër botëror po shembet, ndërsa ende nuk dihet se çfarë do ta zëvendësojë atë. Ai vlerësoi se konkurrenca ndërkombëtare po zhvillohet me intensitet edhe më të madh sesa paraqitet në media.
Si shembuj të kësaj paqëndrueshmërie, Erdogan përmendi luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe rritjen e tensioneve në Gjirin Persik, ku sipas tij po shtohen edhe dislokimet ushtarake.










