Erdogan: Greqia të sillet me maturi

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se nuk është Turqia ajo që po rrit tensionet në rajon dhe se do të ishte mirë që Greqia të vepronte me maturi dhe të angazhohej në dialog.

Zyra e Komunikimit e Presidencës Turke deklaroi se gjatë takimit Erdogan-Stoltenberg është diskutuar për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, veprimet agresive të Greqisë dhe memorandumin trepalësh mes Turqisë, Suedisë dhe Finlandës.

Erdogan tha se si rezultat i trafikut diplomatik që arritën në nivelin më të lartë me Rusinë dhe Ukrainën, korridori i grurit filloi të funksionojë sërish dhe se në periudhën e ardhshme do të fokusohet në zgjatjen e marrëveshjes.

Kthimi në negociata dhe dialog

Ai tha se është e nevojshme t’i kthehemi negociatave për t’i dhënë fund konflikteve midis Rusisë dhe Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të arritur një zgjidhje të drejtë.

Duke folur për sjelljen agresive të Greqisë, Erdogan tha se “nuk është Turqia ajo që po rrit tensionet në rajon dhe se do të ishte mirë që Greqia të vepronte me maturi dhe të angazhohej në dialog”.

Erdogan tha gjithashtu se ritmi dhe koha e procesit të ratifikimit të memorandumit trepalësh Turqi-Suedi-Finlandë do të përcaktohet nga hapat që duhet të ndërmarrin këto vende.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu