Erdogan: Një marinë e fuqishme është më shumë domosdoshmëri sesa një zgjedhje për Turqinë

Kreu i shtetit turk realizoi një lidhje të drejtpërdrejtë me Stërvitjen Taktike “Atdheu i Kaltër 2021”. “Sivjet ne jemi duke testuar sistemet tona të armëve vendase dhe kombëtare me një stërvitje shumë më të fortë, më gjithëpërfshirëse dhe shumë më të organizuar”, tha ai nga zyra e punës në Vilën e Vahidedinit.

Duke vënë në pah se Turqia duhet të jetë e fuqishme jo vetëm ekonomikisht e politikisht, por edhe ushtarakisht në fushën e mbrojtjes, Erdogani nënvizoi se posedimi i një marine të fuqishme është më shumë nevojë e domosdoshmëri sesa një zgjedhje për Turqinë.

Ne s’kemi synime mbi territoret, detin dhe sovranitetin e askujt; po bëjmë përpjekje vetëm për të mbrojtur atdheun tonë dhe të drejtat tona”, shtoi ai.

Gjatë fjalës së tij drejtuar personelit ushtarak pjesëmarrës në Stërvitjen Taktike “Atdheu i Kaltër 2021”, lideri turk potencoi gjithashtu se Turqia është sot një prej 3-4 vendeve më të mira në botë për mjetet ajrore pa pilot (dronët).

Ne kemi eksportuar deri më tani mbi 130 platforma detare të prodhuara në kantieret tona me një kosto që arrin në më shumë se 3 miliardë dollarë. Me Rojën Bregdetare, ne jemi të pranishëm në ujërat tona kontinentale; ndërsa me flotën tonë, ne jemi kudo në botë për paqen dhe qetësinë e të gjithë njerëzimit. Ashtu si në çdo fushë, jemi të vendosur ta çojmë Turqinë në superligën botërore edhe në fushën e detarisë. Kush dominon detet, dominon botën. Me këtë besim, ne i kushtojmë një rëndësi të madhe rritjes së fuqisë parandaluese/shkëshilluese të Forcave Detare të Turqisë. Ne jemi ndër 10 vendet që mund të projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë luftanijet e tyre”, u shpreh Presidenti Erdogan mes të tjerash.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu