Erdoğan: Njerëzimi duhet të parandalojë shkeljet e mëtejshme të ligjit ndërkombëtar në Gaza

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në një letër drejtuar Papa Françeskut ka deklaruar se “njerëzimi duhet të parandalojë shkeljet e mëtejshme të ligjit ndërkombëtar në Gaza”, raporton Anadolu.

Erdoğan gjithashtu tha se njerëzimi duhet të flasë kundër bombardimeve të spitaleve, shkollave, xhamive dhe kishave, duke theksuar se këto nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër as në kohë lufte.

Siç theksoi presidenti Erdoğan, pa një zgjidhje të drejtë të çështjes Palestinë-Izrael është e pamundur vendosja e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme.

“Është e pamundur të vendoset paqja dhe stabiliteti i qëndruehsëm në Lindjen e Mesme pa një zgjidhje të drejtë të konfliktit palestinezo-izraelit. Një shtet palestinez i pavarur, sovran dhe gjeografikisht i integruar brenda kufijve të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, duhet të shfaqet dhe të marrë vendin e saj në sistemin global si një anëtar i barabartë i komunitetit ndërkombëtar”, tha Erdoğan.

Më tej, presidenti Erdoğan në letër theksoi se Türkiye është bërë vendi i dytë më i madh që ofron ndihmë për Gazën, me afër 45 mijë tonë furnizime humanitare që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

“Trajtimi i 429 gazanëve të sëmurë dhe të plagosur, përfshirë të krishterët, me 450 persona që i shoqërojnë, vazhdon në Türkiye”, tha ai.

Ai gjithashtu deklaroi se vrasja është e ndaluar në të gjitha besimet abrahamike, duke shtuar se njerëzimi “nuk duhet të lejojë më të shkelet ligji ndërkombëtar dhe ligji ndërkombëtar humanitar në Gaza”.

Ajo (njerëzimi) duhet të ngrejë zërin kundër bombardimeve të qëllimshme të spitaleve, shkollave, xhamive dhe kishave, që nuk duhet të dhunohen as në kohë lufte”, theksoi Erdoğan.

Që kur Izraeli ka nisur një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, të paktën 33.686 palestinezë janë vrarë.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

İzraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Presidenti Erdoğan përmendi edhe bashkëpunimin ndërkombëtar në përpjekjet humanitare për Gazën.

“Sfidat me të cilat përballemi, veçanërisht sulmet pa dallim izraelite në Gaza ku vdekjet nga uria ndodhin për shkak të dështimit të dhënies së ndihmës humanitare edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe ndikimit global të luftës së Ukrainës që tani është në vitin e tretë, kërkojnë nga komuniteti ndërkombëtar që të veprojë në bashkëpunim dhe koordinim”, tha Erdoğan.

Ai në letër përsëriti mbështetjen e Türkiyes për integritetin territorial të Ukrainës.

“Türkiye, duke mbështetur integritetin territorial të Ukrainës që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014, me moton e saj të diplomacisë humanitare, ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të mbrojtjes së të drejtës për jetën e civilëve të pafajshëm palestinezë dhe kauzën e tyre e drejtë”, theksoi ai.

Duke përmendur ideologjitë e urrejtjes si islamofobia, racizmi dhe ksenofobia “po përhapen në mbarë botën”, Erdoğan bëri thirrje për “politika gjithëpërfshirëse dhe racionale”.

Me këtë mentalitet, ne jemi të vendosur të zhvillojmë më tej dialogun dhe bashkëpunimin tonë me Selinë e Shenjtë për të promovuar një kulturë të bashkëjetesës paqësore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, mbi bazën e vlerave tona të përbashkëta njerëzore dhe synimit tonë për t’i shërbyer paqes botërore”, tha ai.

Papa mirënjohës ndaj presidentit Erdoğan për përpjekjet për paqe

Kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes, Ali Erbaş, përcolli letrën e presidentit Erdoğan gjatë vizitës së tij tek Papa, i cili tha se i ishte mirënjohës për “atë që ka bërë”.

Papa Françesku theksoi se presidenti ynë është një nga liderët e paktë që punon shumë për paqen botërore dhe që ka fuqinë për ta arritur këtë. Për këtë arsye, ai kërkoi që t’i përcillnim personalisht përshëndetjet dhe tha ‘Ju falënderoj shumë për atë që ka bërë’ “, tha Erbaş.

Erbaş gjithashtu tha se fokusi i takimit të tyre ishin “vrasjet, masakrat dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli në Palestinë”.

“Kudsi, simboli i paqes dhe bashkëjetesës, është nën shtypjen izraelite, kudo, pavarësisht ndaj muslimanëve apo të krishterëve, foshnjave apo fëmijëve të pafajshëm, xhamive apo kishave. Jemi përballë një situate ku të gjithë, përfshirë fëmijët, të moshuarit, të sëmurët dhe gratë, po masakrohen”, theksoi Erbaş.

Ne shprehëm nevojën për të punuar së bashku për t’i dhënë fund kësaj situate dhe për të tërhequr më shumë vëmendjen ndaj Palestinës dhe Gazës dhe për të ndaluar shtypjen izraelite”, shtoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu