Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të mërkurën se sulmet e Izraelit ndaj Sirisë dhe Libanit kishin arritur në një pikë ku ato kërcënojnë edhe Turqinë, duke shtuar se “agresioni” i Izraelit përbën një kërcënim për të gjithë botën dhe duhet të ndalet.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka qenë dikur nga kritikët më të ashpër të sulmeve të Izraelit ndaj Iranit, Gazës dhe Libanit, duke thënë se Izraeli është pengesa më e madhe për paqen rajonale. Ajo ka ndaluar të gjithë tregtinë me Izraelin dhe ka bërë thirrje për masa kundër tij në gjykatat ndërkombëtare.
“Sulmet nga Netanyahu dhe rrjeti i tij vrasës ndaj Libanit dhe Sirisë, e kanë çuar çështjen në një pikë ku ajo kërcënon edhe Turqinë”, u ka thënë Erdogan ligjvënësve nga Partia e tij në pushtet, AK, në parlament, dhe ka shtuar se siguria e Ankarasë ishte e lidhur me atë të këtyre dy vendeve.
Erdogan ka thënë gjithashtu se Izraeli po udhëheq një “përpjekje të fshehtë” për të destabilizuar vendet afrikane dhe Mesdheun, duke ndezur “zjarrin e mosmarrëveshjes” në ishullin e ndarë etnikisht të Qipros.
“Askush nuk duhet të ndjekë aventura… Dua që të gjithë ta dinë se nëse të drejtat e Turqisë dhe qipriotëve turq shkelen në Mesdheun Lindor, përgjigja jonë do të jetë shumë e qartë dhe shumë e fortë”, ka deklaruar ai.
Turqia, fqinja e Iranit, ka fajësuar “provokimet” nga Izraeli për fillimin e luftës SHBA-Iran.
Erdogani të mërkurën u ka bërë thirrje fuqive botërore të marrin një qëndrim më të qartë kundër Izraelit, duke thënë se shteti është inkurajuar nga “heshtja e bashkësisë ndërkombëtare”.
“Tërheqja e Izraelit brenda kufijve të sundimit të ligjit është bërë një detyrë e përbashkët jo vetëm për disa vende, por për të gjithë njerëzimin”, ka deklaruar Erdogan.










