Escobar: Marrëveshja finale mes Kosovë dhe Serbi është çështje javësh

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar ka folur pas takimeve që i zhvilloi sot me krerët më të lartë shtetërorë, ata opozitarë dhe përfaqësues serbë.

Në një intervistë dhënë Kanal10, ai ka përmendur çështjen e dokumentit të shumëpërfolur franko-gjerman dhe Asociacionin, ndërsa ka dhënë edhe një detaj interesant, duke vlerësuar se marrëveshja finale Kosovë – Serbi është çështje javësh.

Veç kësaj, ai konfirmoi se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyejë vendimin për targat për 10 muaj të tjerë.

Sipas tij, kërkesa për shtyrje nuk është vetëm e ShBA-së por e gjithë QUINT-it.

Dua të filloj duke thënë se Kosova ka të drejtë që ta zbatojë këtë, por ne duam të zbatojmë në një formë paqësore dhe që nuk i ngritë tensionet e që nuk na shpërqendron nga disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë QUINT-it. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën”, tha fillimisht ai.

Tutje, Escobar deklaroi se njerëzit duhet t’i dëgjojnë rekomandimet që i japin ata.

Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato. Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga QUINT-i që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë”.

Ndërkaq, ai tregoi se bisedoi me presidenten Osmani për çështjen e Asociacionit, pra që të dy palët të dalin fitues nga ky Asociacion.

Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën”.

Më pas, ai nuk harroi të precizojë faktin se i njëjti Asociacion duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar”.

Gjithashtu, emisari komentoi edhe situatën në rajon dhe atë se Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë.

Këtu i dha komplimente Kosovës për punën e bërë, ndërsa pohoi se Serbia e ka obligim ligjor ndërkombëtar.

“Jam shumë i lumtur me atë që Kosova po bën për Ukrainën. Sa i përket Serbisë, po absolutisht, jo vetëm që i inkurajojmë që ta qartësojnë pozicionin e tyre dhe ta kuptojnë qartësisht se çka do të thotë kjo për Evropën, por sipas procesit të përafrimit me BE-në, ata obligohen ligjërisht që të rreshtohen me politikat dhe masat evropiane”, përfundoi ai.

Në pjesën e fundit, ai deklaroi se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë është çështje javësh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu