Euro prek nivelin më të ulët nga dhjetori i vitit 2007

Rënia e monedhës europiane në kursin e këmbimit me lekun ka shënuar një rekord të ri për 14 vitet e fundit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të mërkurën me 120.66 lekë, niveli më i ulët që nga dhjetor i vitit 2007.

Agjentët e këmbimit valutor e shpjegojnë rënien rekord të euros me ofertën e lartë të valutës në treg. Përveç prurjes në vijimësi të lartë të euros në treg, burimi i të cilës është vështirë të identifikohet, tregu mund të jetë ndikuar edhe nga faktorë të përkohshëm.

Fundi i muajit dhjetor historikisht një sjell një rritje të ofertës së euros, që zakonisht ka qenë e lidhur me kthimin e emigrantëve për festat e fundvitit, por edhe më një rritje të turizmit hyrës për periudhën festive. Ndoshta një fenomen i tillë për e ndikon tregun e këmbimit valutor edhe këtë vit.

Një faktor tjetër që besohet ta ketë ndikuar kursit gjatë fundit të dhjetorit dhe gjatë nëntorit është edhe emetimi i Eurobondit prej 650 milionë eurosh. Edhe për shkak të tendencës sezonale të rritjes së shpenzimeve publike në muajin dhjetor, shpenzimi i parave të Eurobondit është një faktor potencialisht me ndikim në kursin e këmbimit valutor. Ekspertët e këmbimit valutor vërejnë se, sidomos pas Eurobondit, rënia e kursit të këmbimit të euros është shpejtuar, çka tregon se ky faktor mund të ketë pasur një ndikim të konsiderueshëm.

Nëse oferta e lartë e euros duket në vazhdimësi gjatë këtij viti ka ushtruar trysni nënçmuese për monedhën europiane, pritej që në muajt e fundit të vitit të kishte presion në kahun e kundërt, për shkak të rritjes së kërkesës për valutë me qëllim blerjen e energjisë elektrike. Një gjë e tillë duket se ndodhi vetëm përkohësisht në muajin tetor. Më tej, kompanitë e sektorit energjetik duket se nuk kanë blerë më valutë në tregun e brendshëm, por i kanë siguruar fondet e nevojshme për blerjen e energjisë nëpërmjet kredive të disbursuara direkt në euro nga sektori bankar. Sipas burimeve nga tregu bankar, vlera totale e huave të marra në dy muajt e fundit nga kompanitë e sektorit energjetik në sektorin bankar mund të ketë qenë afërsisht rreth 90 milionë euro. Mosrritja e kërkesës valutore për blerje energjie rrjedhimisht ka neutralizuar një nga faktorët që mund të ushtronin presione mbiçmuese për kursin e këmbimit të euros kundrejt lekut.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave deri tani janë të disponueshme deri në fund të tremujorit të tretë dhe nuk ndihmojnë shumë për të shpjeguar luhatjet e kursit në tremujorin e fundit.

Deficiti i llogarisë korrente për tremujorin e tretë pësoi rënie me 52% krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti dhe me 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo u ndikua kryesisht nga rritja e turizmit, remitancave dhe e sektorit të fasonerisë. Megjithatë, gjatë tremujorit të katërt është vërejtur një rritje e mëtejshme e deficitit tregtar nga shtrenjtimi i mallrave të importit, faktor që mund ta ndikojë ndjeshëm bilancin e pagesave për këtë tremujor. Për 11-mujorin e këtij viti, deficiti tregtar i vendit u rrit me 27.5% krahasuar me një vit më pare; megjithatë, deficiti historikisht i lartë në mallra zbutet pjesërisht nga balanca pozitive në tregtinë e shërbimeve dhe e të ardhurave të tjera parësore dhe dytësore në Bilancin e Pagesave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu