Eurodeputetja me origjinë shqiptare, Arba Kokalari, ka njoftuar se është caktuar në Komisionin e Barazisë së Parlamentit Evropian, ku do të angazhohet në hartimin e politikave të reja që lidhen me inteligjencën artificiale (AI) dhe barazinë gjinore, përcjell INA.
Përmes një reagimi publik, Kokalari theksoi se inteligjenca artificiale sjell njëkohësisht mundësi dhe sfida për barazinë, duke vënë në dukje se gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në sektorin e teknologjisë, AI-së dhe profesioneve digjitale.
Sipas saj, kjo ndikon drejtpërdrejt në mundësitë e karrierës, nivelin e pagave dhe rolin që gratë kanë në formësimin e teknologjive që do të përcaktojnë të ardhmen. Ajo kërkon që Bashkimi Evropian të investojë më shumë në kompetencat digjitale, edukimin për AI dhe krijimin e mundësive më të mira për gratë dhe vajzat.
Kokalari ngriti shqetësimin edhe për keqpërdorimin e teknologjisë, duke përmendur fenomenet e “deepfake” dhe përmbajtjet abuzive të gjeneruara nga AI, të cilat, sipas saj, prekin veçanërisht gratë.
“Gratë duhet të kenë mundësi më të mira për të formësuar të ardhmen digjitale dhe mbrojtje të fortë kur teknologjia keqpërdoret”, ka deklaruar eurodeputetja.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve, ekspertëve dhe organizatave të ndajnë ide dhe propozime për politikat e ardhshme në këtë fushë.
Arba Kokalari është një politikane suedeze me origjinë shqiptare dhe anëtare e Parlamentit Evropian për Partinë Moderata, e njohur për angazhimin e saj në çështjet e tregut digjital, sigurisë dhe barazisë gjinore në BE./INA/










