Eurostat: Shqipëria ndër vendet me rënien më të madhe të popullsisë

Shqipëria po përballet me një rënie të fortë të popullsisë, një fenomen i pazakontë për një vend që nuk ndodhet në luftë. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2024 vendi humbi rreth 29 mijë banorë nga emigrimi, ose 12 persona për çdo 1000 banorë.

Ndërkohë, Bashkimi Europian po shënon rritje të popullsisë falë migrimit pozitiv, ndërsa Shqipëria vazhdon të humbasë të rinjtë dhe fuqinë punëtore. Situata bëhet edhe më shqetësuese pasi lindjet kanë rënë ndjeshëm, duke përshpejtuar plakjen dhe tkurrjen e vendit.

Ndryshe nga Shqipëria, vende si Polonia, Estonia apo Hungaria kanë arritur ta frenojnë emigrimin përmes pagave më të larta, mbështetjes për familjet dhe zhvillimit ekonomik. Edhe Kroacia po sheh shenja stabilizimi pas viteve të emigrimit masiv.

Ekspertët theksojnë se Shqipëria rrezikon të mbetet në krizë demografike nëse nuk krijon më shumë mundësi dhe kushte jetese për të rinjtë që largohen.

Në shumë qytete të vendit po ndihet mungesa e të rinjve dhe e fuqisë punëtore, ndërsa bizneset po hasin vështirësi për të gjetur punonjës. Emigrimi i vazhdueshëm po ndikon jo vetëm në ekonomi, por edhe në strukturën sociale të vendit.

Sipas specialistëve, nëse kjo situatë vazhdon me të njëjtat ritme, Shqipëria mund të përballet në vitet e ardhshme me pasoja serioze për tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe zhvillimin ekonomik. Për këtë arsye kërkohen politika më konkrete për punësimin, rritjen e pagave dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu