Fati i ASH-së në duart e Gjykatës së Tetovës! Të dyja palët i drejtohen gjyqit për ndryshimet që kanë bërë

Atë që po e drejton Arben Taravari apo Ziadin Sela, cilën Aleancë për Shqiptarët do ta njeh Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve kur të vijë koha e dorëzimit të listave?

“Në momentin e paraqitjes së listës, një ndër kushtet për ta dorëzuar listën është edhe vërtetim nga ana e gjykatave për dokumentet për vërtetim nga ana e gjykatës kompetente. Në momentin kur do të dorëzohet vërtetimi nga gjykata”, tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

Nga KSHZ tashmë kanë sqaruar se gjatë dorëzimit të listave, dorëzohet edhe marrëveshja për koalicionim, bashkë me vërtetimin nga Regjistri Qendror dhe vendim nga gjykata përkatëse për regjistrimin e partisë politike.

Ky është dokumenti i Regjistrit Qendror që tregon ndryshimet ndër vite të Aleancës për Shqiptarët.

Ndryshimi i fundit është bërë fillim të vitit 2023, ku bartës figuron Arben Taravari, me akt të Gjykatës së Tetovës. Por kjo mund të mos mbetet kështu. Kjo për shkak se pas ndarjes në dy grupime të Aleancës për Shqiptarët, në krahun që mbështetë Taravarin dhe ai që mbështet Selën, dhe me shkarkimet nga funksionet partiake që ia bënë palët njëra-tjetrës, tash do t’i mbetet Gjykatës së Tetovës që të vendosë se e kujt është partia.

Nga krahu i Taravarit para pak ditësh i thanë TV21 se nuk do të meren me atë se kujt do t’i takojë partia dhe presin vendimin e gjykatës, por TV21 nga burime brenda gjykatës së Tetovës, ka mësuar se krahu i Taravarit tashmë i ka dorëzuar në Gjykatë vendimet e kongresit të jashtëzakonshëm.

Këtë gjë pritet ta bëjë edhe krahu i Selës, brenda javës.

“Deri në fund të javës, i gjithë dokumentacioni i nevojshëm nga Kongresi i fundit do të dërgohet në gjykatë”, thonë nga ASH, krahu i Selës.

Pas kësaj do t’i mbetet gjykatës Themelore në Tetovë të mbajë seancë për të vendosur.

Ditë më parë i ftuar në ClickPlus Taravari u shpreh i bindur se argumentet janë në anën e tij si përfaqësues legjitim i partisë, por njëjtë besojnë edhe pala Selës, të cilët të dielën që lamë pas e shkarkuan Taravarin nga posti i kryetarit të partisë dhe e zgjodhën kryetarin e ri, Ziadin Selës, i cili paraprakisht në kongresin e thirrur nga Taravari u shkarkua nga posti si kryetari i kuvendit qendror të partisë./TV21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu