Festivali i rrushit në Bojanë: Kultivimi i tij, vlerë kryesore e fshatit

Kultivimi i rrushit është vlera kryesore e fshatit të Bojanës, u shprehën organizatorët, andaj promovimi i këtij rrushi është obligim për fshatarët e Bojanës.

“Vreshtarët e Bojanës janë ambasadorët e Bojanës gjithkund ku atje shijohet rrushi i tyre, ndërsa rrushi është prodhimi ynë më i madh dhe më cilësor që kemi pasur ndonjëherë, andaj unë rrushin e shoh si vlerë të Bojanës”, deklaroi organizatori, Fexhri Selami.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se përveç përkrahjes që ajo i jep festivalit, gjithashtu kontribuon edhe me subvencione. Nga 40.000 denarë për hektar jepen për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të mbjella.

“Sivjet kualiteti është më i mirë falë kushteve klimatike, falë tokës që u shton kualitetin për këtë rrush që kultivohet dhe në këtë drejtim ne do të vazhdojmë edhe më tutje të përkrahim këto lloj festivalesh, me qëllim që vlerat bujqësore të ngrihen më lartë, aty ku e kanë vendin”, deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari, transmeton Aktuale.mk.

Kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati, u shpreh se Komuna e Sarajit gjithmonë do të mbështet këso lloj aktivitete, që kanë si qëllim promovimin e vlerave autentike të komunës së Sarajit.

“Nevojat e tregut në Maqedoni kuptohet se janë shumë më të mëdha dhe me një stimul, me një mbështetje institucionale të pushtetit lokal dhe të pushtetit qendror. Jam i sigurt se këta bujq, këta vreshtarë edhe më tepër do të stimulohen që të mbjellin, respektivisht të kultivojnë edhe hapësirat tjera me këto lloje të rrushit”, theksoi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

Ky festival ishte i pasuruar edhe me këngë dhe valle folklorike popullore, ndërsa banorët kishin organizuar edhe treg në të cilin u promovuan prodhimet shtëpiake, si: rrushi, flija, ëmbëlsira dhe gjella të ndryshme./zhurnal


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu