Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, mori pjesë në inaugurimin e *Smart Nursery*, një fidanishte moderne për prodhimin e materialit fidanor të lajthisë, projekt i realizuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, komunitetin shkencor dhe sektorin privat.
Para ceremonisë së inaugurimit, Hoxha vizitoi edhe repartin modern për përpunimin e lajthisë, ku u njoh nga afër me teknologjinë dhe proceset bashkëkohore të selektimit, klasifikimit, larjes, pjekjes, grirjes dhe paketimit të produktit final, në përputhje me standardet moderne të industrisë ushqimore.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se bujqësia moderne kërkon investime në dije, teknologji dhe inovacion, duke vlerësuar se projekte të tilla krijojnë vlerë të shtuar, rrisin konkurrueshmërinë e prodhimit vendor dhe hapin perspektiva të reja për fermerët.
“Materiali fidanor cilësor është baza e një prodhimi të suksesshëm. Kur në një vend bashkohen prodhimi i fidanëve, teknologjia moderne dhe përpunimi i produkteve bujqësore, krijohet një model që i jep vlerë të shtuar gjithë sektorit. Kjo është rruga që duhet të ndjekë bujqësia jonë”, theksoi Hoxha.
Ai përgëzoi Bosko Nelkoskin, familjen e tij dhe të gjithë partnerët për realizimin e këtij projekti, duke nënvizuar se iniciativa të këtij lloji janë dëshmi se bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë sjell rezultate konkrete dhe kontribuon në modernizimin e bujqësisë.










