Festivali ndërkombëtar i filmit në Venecie, i 73-ti me radhë, është hapur mbrëmë me filmin “La la Land” në rolet kryesore me Rajan Gosling dhe Ema Stoun.
Bëhet fjalë për mjuzikël retro-xhaz, i cili flet për vuajtjet dhe lumturinë me të cilat ballafaqohen ata të cilët i ndjekin ëndrrat e tyre, ndërsa sipas kritikave të para, Gosling dhe Stoun në mënyrë briliante i kanë luajtur rolet e tyre.
Pas hapjes së festivalit, në shenjë respekti ndaj viktimave të tërmetit në Italinë qendrore, mbrëmë u mbajt gala mbrëmja tradicionale, transmeton Hina.
Filmi “La la Land” i regjisorit Demijen Shazel është njëri prej 20-të filmave në konkurrencën për çmimin Luani i artë. Sot pason projeksioni i filmit “Les beaux jours d`Aranjuez” i Vim Venders, ndërsa bëhet fjalë për adaptimin e dramës së shkrimtarit austriak, Peter Handke.
Në konkurrencën kryesore të festivalit më të vjetër të filmit në botë, do të shfaqet edhe filmi i Terens Malik “Voyage of Time”, dokumentar për kozmosin, në të cilin naratore është Kejt Blanshet, ndërsa më pas trileri i disenjatorit të modës Tom Ford “Nocturnal Animals” Në konkurrencë është edhe “Jackie”, filmi biografik për Xheki Kenedi, të cilin rol e luan Natali Portman, më pas “On the Milky Road” i Emir Kosturicës me Monika Beluçin, si dhe “Paradise” i Andrej Konçalovski.
Jashtë konkurrencës do të shfaqet edhe drama me temë Lufta e Dytë Botërore “Hacksaw Bridge” në regji të Mel Gibsonit, si dhe rimejku i uesternit klasik “Shtatë të madhërishmit”.
Luanin e artë për vepër jetësore do ta marrë aktori francez Zhan Pol Belmondo dhe regjisori polak, Jerzhi Skolimovski, ndërsa projeksione të veçanta do t’u kushtohen regjisorëve, Majkëll Çimin dhe Abas Kiarostami, të cilët vdiqën në korrik.
Jurinë nëntëanëtarëshe e kryeson regjisori britanik, Sem Mendes ndërsa vendimi për çmimet do të publikohet në ditën e fundit të festivalit, më 10 shtator.