Fillon procesi civil për dëmshpërblimin e të akuzuarve në rastin “Sopoti”. Gjykata Themelore Shkupi 2, sot morri listën e provave të palës mbrojtëse dhe meqë sot ishte seancë përgatitore, nuk u nxorrën provat dhe argumentet e palës së dëmtuar nga shteti, por gjatë seancës së ardhshme që është caktuar një javën e dytë të muajit shkurt, do të prononcohen vetë të dënuarit padrejtësisht.
Teksa procesi po merr formë, dhe derisa gjykata të vendosë për dëmshpërblimin e sopotasve që shteti i mbajti në burgje për vite me radhë padrejtësisht, po kërkohen edhe fajtorët e dënimit të padrejtë. Ditë më parë burime të televizionit Shenja brenda Zyrës së Avokatit të Shtetit, paralajmëruan padi kundër gjithë atyre që kanë marrë pjesë në inskenimin e rastit “Sopoti”. Në padi do të kërkohet dëmshpërblim me shumëm e njëtë që do tu ndahet sopotasve për vuajtjet në burg.
Avokati i shtetit Fehmi Stafa, në bazë të detyrës zyrtare, do të ngrejë padi kundër gjykatësve, prokurorit, si dhe agjentëve të DSK-së për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në inskenimin e rastit “Sopoti”.
Meqë Ministria e Drejtësisë e pati refuzuar kërkesën e Sopotasve për dëmshpërblim, rasti ka shkuar në instancë gjyqësore. Renata Deskoska nuk pranoi kërkesën e tyre me arsyetimin se në ministri nuk ka kritere mbi të cilat mund të vlerësohet dëmi shpirtëror, prandaj u sygjeroi që betejën juridike ta vazhdojnë në gjykatë.
Ende nuk është saktësuar shuma e dëmshpërblimit, por nga negociatat e deritanishme të Avokatit të shtetit me familjarët, parimisht është arritur marrëveshje për dëmshpërblim prej 5 mijë e 500 denarësh, për një ditë të kaluar në burg, ose mbi 1,3 milionë euro në total, për të gjithë të akuzuarit që kanë bërë kërkesë dëmshpërblimi e që jetojnë në Maqedoni. Në momentin ku gjykata t’ua heq fletëarrestin edhe personave të tjerë që ishin në arrati, edhe ata kanë bazë për të bërë kërkesë dëmshpërblimi. Shuma fillestare që e kërkonin sopotasit ishte 2,5 milionë euro.
Dënimin me burg e vuajtën Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa njëri nga të akuzuarit, Samet Limani, nuk arriti që të pres përfundimin e procesit gjyqësor pasi ndërroi jetë. Sopotasve iu hap rruga për të kërkuar dëshmpërblim pas vendimit të muajit mars me të cilin Prokuroria Speciale tërhoqi akuzën pasi vlerësoi se personat e akuzuar janë të pafajshëm dhe ata tashmë janë gjurmëve të autorit të vërtetë të këtij rasti. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/










