Fitimet e kamarierëve në Kroaci mbi 3 mijë euro

Fitimet e kamarierëve në Kroaci kanë arritur shifra rekorde gjatë këtij sezoni turistik. Së bashku me bakshishin, një kamarier mesatar në këtë sektor arrin të fitojë mbi 3.000 euro në muaj, një shumë kjo që tejkalon madje edhe pagën e shumë drejtorëve.

Gastronomi i njohur kroat, Marin Medak, në një deklaratë për mediat vendore theksoi se shërbimi në restorante është një punë mjaft e rëndë dhe se këto eardhura të larta janë krejtësisht të merituara, pasi bakshishi është treguesi kryesor i kënaqësisë së mysafirëve me shërbimin e marrë.

Duke komentuar ecurinë e sezonit turistik, Medak sqaroi se ankesat e disa pronarëve për ulje të punës nuk vijnë nga mungesa e turistëve, por nga hapja e tepërt e lokaleve sezonale me cilësi të dyshimtë në bregdetin e Adriatikut. Sipas tij, oferta në bregdet është e mbingarkuar dhe pothuajse gjysma e këtyre objekteve nuk do të duhej të funksiononin fare.

Ndërkohë, të dhënat e Administratës Tatimore konfirmojnë se konsumi i përgjithshëm në sektorin e hotelerisë është në rritje. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i faturave të lëshuara është rritur për 5.5 për qind, ndërsa vlera e tyre totale ka shënuar rritje prej 8 për qind, duke arritur në pothuajse 1.1 miliardë euro./Poslovni.hr


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu