Shqipëri magjepsëse! Edhe pse vetëm në 14 minuta lojë, kur barazimi ndaj Maqedonisë dukej i pakthyeshëm, me ndeshjen që u ndërpre prej kushteve të papërshtatshme atmosferike.
Në fund kuqezinjtë triumfuan, me rrjetën e Bekim Balaj-t. Suksesi 2-1 nuk kaloi në heshtje në mediat ndërkombëtare. Përkundrazi bëri bujë, edhe sepse Spanja dhe Italia janë të interesuarit direkt, si rivalë të Kombëtares në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018.
“Shqipëria, çfarë fitore!”. Ky ishte titulli i “Corriere della Sera”, që theksonte se kuqezinjtë ngjiten në krye të grupit përkrah Spanjës dhe Italisë.
Në të njëjtën gjatësi vale edhe prestigjozia “La Gazzetta dello Sport”, sipas të cilës “Shqipëria luajti 14 minuta për një gol”, ndërsa “De Biassi arrin të mbajë hapin e Italisë”.
Fitorja e Kombëtares u pasqyrua edhe nga “Sportmediaset” dhe SkySport në edicionin italian, që theksoi se Shqipëria e kaloi Maqedoninë në minutën e 90-të.
BBC nënvijëzonte se tri pikët e para të Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2018 erdhën pas shtyrjes prej 15 orë të ndeshjes, ndërsa triumfi i skuadrës së De Biassit nuk kaloi pa u vënë re edhe në Gjermani, në kolonat e prestigjiozes “Bild”.